Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Dinamo, “lamtumirë” Europës/ Blutë kryeqytetas nuk arrijnë dot në fazën e grupeve

schedule23:45 - 28 Gusht, 2025

schedule 23:45 - 28 Gusht, 2025

Ishte një mision thuajse i pamundur.

E dinte Dinamo sesa të vështirë do ta kishte të përmbyste humbjen e parë me shifrat 3-0 në Poloni, dhe në “Arenën Air Albania” u detyrua t’i thoshnte lamtumirë Europës.

Pas dy kualifikimeve ndaj Atletik Eskaldesit të Andorrës dhe Hajdukut të Kroacisë, pengesa polake me emrin “Jagiellonia” nuk u kapërcye dot.
Në kryeqytetin shqiptar dueli përfundoi 1-1, në një përballje të fortë, me skuadrën e trajnerit Ilir Daja që bëri më shumë, por për fat të keq nuk pati cilësinë dhe potencialin as për të fituar, jo më për të synuar kalimin në fazën e grupeve.

Devi Bregu shënoi vonë për avantazhin 1-0 të dinamovitëve, në minutën e 68-të, por gabimet dhe mungesa e përvojës sollën golin e barazimit 11 minuta më pas. Autor i tij për Jagiellonian, ishte greku Dimitris Ralis.

Sfida ishte e fortë, dhe ndonëse skuadra jonë pati më shumë raste, polakët gjithashtu rrezikuan dhe ishin mjaft aktivë. Jo më kot, gjuajtjet në kuadrat ishin në favor të tyre, edhe pse numri total i goditjeve drejt portës i takoi Dinamos.

Padyshim, që ndikim të madh negativ pati largimi i dy sulmuesve kryesorë të ekipit, Zabërgjës dhe Mandelës, të cilët jo vetëm ndihmuan ekipin e Dajës të fitonte Kupën e Shqipërisë dhe të arrinte finalen e Superligës, por edhe që të kalonte dy raunde eliminatore në Ligën e Konferencës.

Pas 15 vitesh pa pjesëmarrje në kupat e Europës, duhet thënë se e mbiquajtura “nëndetësja” bëri një paraqitje të mirë, e ndoshta grupet mund t’i arrijë sezonin e ardhshëm.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!