Në një ceremoni të zhvilluar me rastin e Mirënjohjes Kombëtare për forcat e angazhuara në përballimin e zjarreve që pushtuan vendin tonë, gjatë muajve të fundit, kryeministri Edi Rama tha se situata e vështirë bëri bashkë një armatë ushtarakësh dhe civilë.
Duke falënderuar përzemërsisht të gjitha forcat për përkushtimin dhe sakrificën e tyre për të përballuar situatën e vështirë, Rama nuk nguroi të ironizonte opozitën, anëtarët e së cilës i cilësoi si “ekspertë online” për shuarjen e zjarreve.
“Pranë apo larg vijës së zjarrit kjo situatë bëri bashkë një armatë ushtarakësh dhe civilësh. Një shërbimi të përkushtuar, dhe me ritëm për të gëzuar mirënjohjen e gjithë publikut. Edhe pse një situatë e jashtëzakonshme, në Dibër, Finiq, Vlorë e vende të tjera, qëndrimi i njerëzve tanë ndaluan atë që mund të ishte një asgjësim ekonomik. Qindra misione nga ajri e nga toka, dhe ky shtet i sfiduar si asnjëherë më parë nuk u kthye. Por mundi të jepte më të mirën edhe pse ka shumë për të bërë. Nuk munguan as ekspertët online të fikjes së zjarrit, por Shqipërinë nuk e mbrojtën ata, por e mbrojti djersa dhe sakrifica, ku përfaqësues jeni edhe ju këtu. Kjo është e vërteta që duhet të thuhet me zë të lartë”, tha Rama./abcnews.al

