Besimtarë ortodoksë nga i gjithë vendi, por dhe turistë të huaj çdo 15 gusht mblidhen në manastirin e Zvërnecit për të festuar një nga ditët më të rëndësishme në kalendarin e krishterë, ditën e Shën Marisë.
Besimtarët ndezin qirinj dhe i luten Shën Marisë për paqe, shëndet e mbarësi. Manastiri i Zvërnecit, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në jug të vendit u kthye në një vend pelegrinazhi.
At Jani Tereziu thotë se kjo është një nga ditët më të rëndësishme ku mbahen mesha për problemet e njerëzve.
Këtë vit lutjet shkuan për të gjithë ata që u prekën nga zjarret që përfshinë vendin javën e fundit.
Besimtarët ortodoks e cilësojnë këtë ditë si pashka e vogël pasi sipas tyre Shën Maria u ngjit në qiell pranë birit të saj e lutet për njerëzimin.


