Kryeministri Edi Rama, në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, prezantoi “Rilindjen Urbane 2.0” si një program katërvjeçar që do të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një aksion të përkohshëm veror.
Ai iu përgjigj kritikave mbi kohën e nisjes së ndërhyrjeve, duke theksuar se procesi nuk mund të shtyhej për në dimër. Rama kritikoi gjithashtu një pjesë të industrisë turistike për mungesë vizioni afatgjatë, duke paralajmëruar masa të forta për rregullimin e plazheve dhe një “shkundje” të thellë të bashkive për të ngritur nivelin e pushtetit vendor.
“Rilindja urbane 2.0 është program që do të vazhdojë 4 vjet dhe ky proces do të jetë konstant. Nuk është aksion apo sulm veror. Dhe ata që thonë se pse nuk e lije dot për në dimër, jo nuk e linim dot në dimër. Jo se kishim turistë nëpër këmbë, çështja e turistëve lidhet me dy apo tre gjera të tjera për të cilat do të llafosemi në shtator, duke filluar nga një pjesë e industrisë që nuk po mendon fare strategjikisht, por vetëm ‘kap ca të kapësh sot’, dhe po i bën gropën vetes nesër, pasi ato investime që po bën nuk do t’i shlyejë nëse sot vendos çmime të cilat do të hapin me shumë shpejtësi fjalën që është shumë shtrenjtë në Shqipëri. Do të flasim edhe për plazhet, kur kemi bërë hap këtë vit, por të pamjaftueshem. Do të marrim masa radikale edhe për plazhet, por ama shkundja e bashkive sot është domosdoshmëri dhe që pushteti vendor të ngrihet në një moment tjetër”, tha Rama./abcnews.al

