U duk si dita e “kiametit”. Të tilla kushtet atmosferike në pistën Spa-Frankorshamp në Belgjikë, ku u zhvillua gara e radhës e Formula 1.
Çmimi I Madh I Belgjikës ishte gjithashtu nën dominimin e skuadrës Meklaren Mercedes, ndërsa dy pilotët e saj bënë rokadë që në xhiron e parë.
Oskar Piastri, kryesues I Botërorit, kaloi shokun e ekipit, Lando Norris, për të mos u arritur dot deri në fund.
Me pistën e mbushur me ujë, diku më shumë e diku më pak, pati betejë dhe mjaft gabime, ndërsa rivalët e skuadrës angleze nuk bënë dot rezistencë.
Sharl Lëklerk I Ferrarit mbajti vendin e tretë, edhe pse disa herë u sulmua nga kampioni I botës në fuqi, Maks Verstapen.
Holandezi pati një të shtunë të shkëlqyer në sprint, por makina e tij Red Bull nuk krahasohet dot as me Ferrarin, madje as me Mercedesin, jo më me Meklarenin.
Kjo duket kur shikon renditjen e konstruktorëve, me Red Bullin në vendin e katërt, me gati tri herë më pak pikë sesa kryesuesit.
Piloti më aktiv në pistë sidoqoftë ishte Ljuis Hamilton, që u nis I 18-ti dhe përfundoi në vendin e 7-të.
Në renditjen e Botërorit, Piastri kryeson me 266 pikë ndaj 250 të anglezit Norris, ndërsa Verstapen ka 185 pikë, me Çmimin e Madh të radhës që mbahet në Hungari fundjavën e ardhshme.

