Vitet më të bukura të karrierës i kaloi te Napoli, aty ku u kthye në idhullin e tifozëve dhe formonte një sulm fantastik me Edinson Cavanin. Ezequiel Lavezzi ka vendosur t’i japë fund me futbollin në moshën 34-vjeçare. Argjentinasi është aktivizuar me ekipet e Estudiantes, San Lorenzo, Napoli, PSG dhe Hebei China Fortune.
Prej shkurtit të vitit 2016 ishte pjesë e ekipit kinez dhe tani ka ardhur fundi i karrierës. Lavezzi shënoi golin e vetëm të ekipit të tij në humbjen 1-3 kundër Guangzhou Evergrande dhe në fund të takimit zyrtarizoi tërheqjen.
— Ezequiel Lavezzi (@PochoLavezzi) December 13, 2019
“Nuk do e harroj kurrë këtë ndeshje, sepse ishte e fundit e karrierës time. Dua t’u përkushtohem fëmijëve të mi dhe të kaloj kohën me ta. Ka ardhur momenti për të marrë këtë vendim“, theksoi Lavezzi pas përfundimit të ndeshjes së 27 nëntorit, teksa sot ka zyrtarizuar gjithçka me anë të një postimi në rrjetet sociale, aty ku shkruan se ka kaluar vite të shkëlqyera dhe ka mësuar shumë.
Falënderimet për ata që i kanë qëndruar afër gjatë këtij rrugëtimi nuk mungojnë dhe Lavezzi i cilëson vitet e karrierës si më të bukura dhe të lumturat e jetës së tij. “El Pocho” zhvilloi edhe 51 ndeshje me kombëtaren e Argjentinës, gjatë të cilave shënoi 9 gola. /abcnews.al