Ky ekip nuk merr amerikanë. Italia i mbetet besnike prodhimit të saj, dhe po flasim për një fuqi tepër të respektuar europiane të basketbollit.
Klasin e tregoi sërish, këtë herë duke u shpallur kampione e Europës U20.
Në turneun e mbajtur në ishullin e Kretës në Greqi, Të Kaltrit triumfuan në finalen ndaj Lituanisë, gjithashtu të respektuar, me shifrat 83-66.
Françesko Ferrari ishte më i miri jo vetëm i Italisë U20, por i krejt kampionatit, duke fituar çmimin individual, e duke shkëlqyer gjithshtu në finale.
Djaloshi që bën 20 vjeç pas një muaji, 2.04 metra shtatlartë e 90 kilogram në peshë, luan për një ekip të vogël, Xhesteko Çividale, në një komunë të rajonit Friuli-Venecia-Xhulia, ndërsa në ndeshjen për titull shënoi 26 pikë, duke qenë më i miri.
Truketi u dallua për asistet, dhe Asui e Osasuji për topat e kapur në tabela.
Lituania nuk mundi të bënte asgjë këtë herë, ndërsa Italia kaloi Serbinë në gjysmëfinale, dhe pësoi vetëm një humbje, me Gjermaninë në grup.
Gjithsesi, bashkë me suksesin erdhën edhe polemikat.
Në rrjetet sociale ka pasur shumë ofendime raciste për shkak se gjysma e ekipit të kaltër është me origjinë nga emigrantët.
Elize Asui, David Torresani, Edogage Atamah, Teo Airhienbuva, Leonardo Marangon dhe Osauaru Osasuji janë të tillë.
Skuadra iu përgjigj ofendimeve me një mesazh në rrjetet sociale: Shumë faleminderit për mesazhet negative dhe raciste, na dhatë nxitje!
Italia u shpall për herë të tretë kampione e Europës në basketboll U20, dhe për herë të parë pas 12 vitesh, ndërsa shpresohet që ky brez të ndihmojë edhe kombëtaren e shquar që dikur ka pasur yje si Riva, Menegin, Marxorati, Brunamonti apo Belineli.

