Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Masa të ashpra për punonjësit e Kadastrës/ Rama: Ndëshkim për këdo që ka shkelur ligjin

schedule17:08 - 16 Korrik, 2025

schedule 17:08 - 16 Korrik, 2025

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa ndëshkimore penale për të gjithë nëpunësit e Kadastrës të cilët kanë dhënë legalizime në cënim të hapësirës publike.

Duke sjellë si shembull anulimin e lejes për një subjekt, kreu i qeverise thotë se nuk do ketë asnjë tolerancë për këdo që shkel ligjin.

“Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anuluar ligjërisht, por do të miratohet së shpejti, si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona.”, është shprehur Rama.

Paralelisht, gjatë kësaj të mërkure, vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike në gjithë Shqipërinë.

Në kryeqendrën e veriut, një pjesë e bizneseve i janë përgjigjur thirrjes duke bërë lirimin vullnetar të hapësirës së zënë nga aktiviteti i tyre. Në kuadër të këtij aksioni, Policia bashkiake e Shkodrës, e adreson thirrjen tek bizneset që refuzojnë të zbatojnë urdhrin për lirimin e hapësirave.

Edhe në bashkinë e Lezhës ka nisur një aksion i gjerë inspektimi për identifikimin e zaptimeve të hapësirave publike dhe ndërtimeve të kryera pa leje.

Në terren janë angazhuar ekipe të përbashkëta nga Inspektorati Kombëtar dhe Vendor i Mbrojtjes së Territorit, Tatimet dhe Policia Bashkiake.

Sipas verifikimeve paraprake, një pjesë e konsiderueshme e objekteve janë ndërtuar ndër vite dhe posedojnë dokumentacion ligjor, por janë evidentuar edhe raste të ndërhyrjeve të paligjshme mbi pronën publike apo ndërtimit pa miratim nga autoritetet përkatëse.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka vijuar edhe në qytetin e Fierit. Grupet në terren po punojnë për heqjen e heqjen e tavolinave të lokaleve nga trotuaret ku janë vendosur edhe gjoba.

Ndërkohë, për objektet e tjera si mure rrethues, godina në anë të rrugëve ky aksion po kryhet paralelisht me investimet në rrugë.  Këtë të mërkurë operacioni është zhvilluar me prishjen e një objekti në lagjen “29 Nëntori”, ndërsa po punohet për zgjerimin dhe asfaltimin e rrugës hyrëse në veri të qytetit.

Aksioni në të gjithë vendin synon të rikthejë hapësirat publike në funksion të komunitetit, si e drejtë e qytetarëve për të pasur ambiente të lira dhe të aksesueshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!