Mandati i katërt nis me katarsis. Kryeministri Rama njoftoi gjithë kryebashkiakët, të shkarkojnë drejtorët e tyre dhe krerët e njësivë administrative, të gjithë deri të hënën.
“Ashtu siç e kemi nisur me disa bashki, në të gjithë të tjerat të ketë shkarkime e drejtorë. Për kryetarët e PS, të gjithë krerët e njësive administrative të shkarkohen, të gjithë. Shpresoj deri të hënën të jenë shkarkuar. Presin disa që me 83 mandate tani të dalim të bëjmë si të fortë, nuk jemi, jemi më të ekspozuar. Tu jepet mundësia të tjerëve.”
Por boshllëku duhet mbushur. Dhe kjo duket një lëvizje të cilën e ka menduar prej kohësh. Kur mbarojnë të tutë, do hidhesh nga krahu tjetër.
“Simboli më kuptimplotë i pisllëkut dhe korrupsionit në histori. Në Kadastrën e Vlorës janë ndërruar 11 drejtorë. Pasi u ezauruan të gjithë burimet e krahut, kaluam në krahun tjetër. Të vihen njerëz jashtë fushës, e papranueshme.”
Bëhet fjalë për Genc Deromemajn, demokrati i parë pas zgjedhjeve që pranoi ofertën për të drejtuar Kadastrën e Vlorës. Mesa duket nuk do të jetë vetëm Deromemaj. Rama po përpiqet të afrojë demokratë të tjerë në poste drejtuese, kurse drejtuesit të tyre, Prof Dr. Sali Berisha, i mbetet vetëm titulli, vula dhe selia.
Ashtu si kryebashkiakët demokratë, të cilët nuk lënë ftesë pa pranuar kur Rama u thërret në takime. Arsyeja duket e qartë, qeveria ka ccfarë iu jep, opozita jo. Ose se paku, jo me.
Tema më e prekur në takimin me kryebashkiakë e ministra në Durrës, ishin ndërtimet pa leje. Pas lokaleve, kioskave e dyqaneve, Rama hodhi sytë nga kantieret e ndërtesat e mëdha. Këtu u shfaq dhe arsyeja sesi do përdoren sytë e qeverisë, lart nga qielli.
“Inspektimi i territorit në kuptimin e ndërtimeve duhet të mbështetet nga një fuqi e madhe teknokogjike me satelitët dhe dronët që kemi por edhe me një strukturë të dedikuar si Qendra e Monitorimit të Ndërtimeve. Kantieret do të monitorohen 24 orë e pajisen me GPS, të gjurmohen deri ku i ccojnë mbetjet. Arkitektët që bashkëpunojnë me ndërtuesit për të shkelur lejen e ndërtimit nuk mund të gëzojnë më licencën dhe duhet të përballen me pasoja të natyrës penale siç e ka gjithë bota. Do të shikojmë një masë tjetër që të mos ketë lidhje të ujit e dritave për asnjë ndërtim që nuk disponon lejen e ndërtimit”
Nga tullat, Rama kaloi tek uji. Paralajmëroi një reformë, dhe se së shpejti uji do të ketë një sistem si ai i energjisë.
“Të gjitha llojet e eksperiencave, na nxjerrin në konkluzionin që është koha që te kemi një Operator Kombetar të Shpërndarjes së Ujit, siç kemi atë të shpërndarjes së energjisë. Ujësjellësi i Vlorës ka kaluar në absurditet, financon një television privat. Në Tiranë, drejtori i UKT ka staf 30 vetë. Për ccfarë i duhen në zyrë. As unë skam aq personel.”
Kritikat e mbledhjes nga Rama i morën dy kryebashkiakë.
“Stafi i Bashkisë së Vlorës i ka sytë gjysmë mbyllur. Si mundet që kryebashkiaku ska parë një ndërtesë 500 metra mbi shkëmb, mbi kokën tëndë, ska mundësi mos e dish ccfarë ndërtohet. Ti në Elbasan me 10 mandate, cfarë i jep ti 10-fish kur e lë barin e varrezave në Elbasan kaq. Ka mbuluar bari varrezat.”
Fshesa e Ramës duket se do nxjerrë zbuluar gërmadhat e vjetra të qyteteve të Tiranës, ndërsa kryeministri po tregon edhe njëherë, se nuk ka harruar dashurinë e tij të vjetër, për menaxhimin e zonave urbane. Leksionin po e marrin tani në formën më të ashpër, kryebashkiakët e tij socialistë./abcnews.al

