TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama paralajmëroi se aksioni për heqjen e zaptimeve në hapësirat publike do të vijojë në disa bashki të vendit.
Ai paralajmëroi një aksion vetëpastrimi në bashkitë Fier dhe Durrës. Ky proces tha kryeministri është i domosdoshëm, ndërsa shtoi se duhen sy të freskët në menaxhimin dhe adresimin e nevojave të qytetarëve.
“Sot pasdite jemi në Fier dhe pastaj në Durrës, ku do të vazhdojmë të njëjtën përpjekje. Një vetëpastrim dhe vetëqetësim i brendshëm i strukturës. Domosdoshmëri kjo pas një periudhe të gjatë qëndrimi në të njëjtat pozicione të të njëjtëve njerëz, por edhe si rrjedhojë e domosdoshmërisë për ta parë realitetin e qyteteve tona të mëdha një realitet në transformim të vazhdueshëm. Duhen sy të freskët, duhet një përpjekje shtuar, një hov i ri, sepse 12 mandate në Fier, janë histori, e shkruar nga dhjetëra mijëra mbështes tanë në zonë, diasporë, që kërkon të vazhdojë të shkruhet si një kapitull i ri, që kanë nevojë për më shumë cilësi jete.”, tha ai.
Ai theksoi se qytetet e vendit po marrin një hov të madh zhvillimi, ndaj strukturat duhet t’i përgjigjen sfidave të reja.
“Siç bëmë në Vlorë, do bëjmë në Tiranë, në Fier, Durrës, Shkodër, sepse këto qytete kanë marrë hov të madh dhe do përballen me sfida të reja”, theksoi Rama.
Ai u ndal sërish te rasti i Thethit, ndërsa shtoi se strukturat shtetërore po punojnë për pastrimin e kësaj “plage mjedisore”.
“Vazhdojmë të pastrojmë plagën e tmerrshme që iu hap Thethit dhe Ministria e Drejtësisë po bën gati dokumentacionin dhe do t’i kërkojë KLP që të qëndrojë mbi Prokurorinë e Shkodrës, sepse realisht është shumë shqetësuese ajo që ka ndodhur në Theth. Strukturat e shtetit janë lënë në baltë nga një prokurore dhe Prokuroria e Shkodrës e merr në mbrojtje.”, pohoi Rama.



