Pesë zyrtarë të policisë së Kosovës janë arrestuar në Lipjan, pasi një i ri dyshohet se humbi jetën për shkak të dhunës policore, rreth mesnatës së 7 korrikut.
Ne pamjet e publikuara duket momenti kur një grup policesh ndalojnë 27-vjeçarin Agon Zejnullahu dhe me pas ambulanca qe mbërrin ne rrugën “Haradin Bajrami”.
Policia e Kosovës tha për mediat lokale se 27-vjeçari dyshohej se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe po sulmonte automjete dhe kalimtarë në Lipjan. Policet dyshohet se e kane goditur teksa po tentonin ta arrestonin dhe pikërisht kjo dyshohet se është shkaku i vdekjes.
Sipas zyrtarëve policorë, në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent që ka ofruar ndihmën e parë, por është konstatuar se i riu ka ndërruar jetë.
Vëllai i Agonit tha për KosovaPress se policia është shmangur dhe nuk ka dhënë shpjegime për ngjarjen. Sipas Alban Zejnullahut, 27-vjeçari kishte shenja në trup dhe ka pamje që tregojnë dhunën policore.
“Kur jemi shkuar aty na kanë kumtuar mjekët që trupi është i pajetë, janë shmangur dhe nuk na kanë treguar detaje tjera. Faktikisht i kanë thënë mjekës janë rreh disa persona hajde merreni, veç rrahje i kanë thënë. Kur ka shkuar kjo e kanë gjetur të vdekur, të lidhur, me më shumë se 20 shenja nëpër trup. I kam fotografitë, kur mjekja ka konstatuar që vdekja ka ndodhë para se me ardhur në emergjencë. Ne i posedojmë videot prej qytetarëve që falënderojmë dhe mediat. Kemi videon kur edhe pas goditjes së fundit me britma, jep frymën e fundit…Nuk qëndrojnë, mënyra qysh e kanë shpërfaq, nuk e kemi njoftuar as ne, si person të tillë, ka persona që flasin fjalë të mira për të, nuk lejohet në një shtet demokratik të ushtrohet dhunë deri në vdekje”, ka thënë Alban Zejnullahu.
Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim për rastin dhe kanë kërkuar zbardhjen e së vërtetës.

