Për këtë fanelë kanë luajtur edhe legjenda si Johan Krujf apo Marko Van Basten.
Gjithsesi, jo gjithmonë yjet më të shndritshëm mbajnë rekordet, dhe tek Holanda shënuesit më të mirë janë të tjerë.
Memfis Depai barazoi nivelin e atij që ishte numri 1, Robin Van Persit, duke pasur tani 50 rrjeta për “tulipanët”.
Sulmuesi kryesor i kombëtares së sotme realizoi dy herë në fitoren 8-0 ndaj Maltës.
Interesant fakti se të dy kanë luajtur nga 102 ndeshje, ndonëse Van Persi më pak minuta në total.
Për Holandën shënuan edhe Van Dajk, Simons, dy herë Malen, Lang, dhe Van der Ven.
Holanda është në vend të dytë në grupin eliminator G të Kupës së Botës, me 6 pikë në dy ndeshje.
Në vend të parë është Finlanda që mundi 2-1 Poloninë në shtëpi dhe ka 7 pikë në 4 ndeshje.
Pohjanpalo në pjesën e parë me penallti dhe Kelman pas pushimit I dhanë finlandezëve epërsinë 2-0, ndërsa në 69’ Kivior shkurtoi diferencën për polakët.
Në grupin H, Austria nuk pati probleme në San Marino, pikërisht ashtu siç pritej.
Marko Arnautovic realizoi dy gola që në fillim, dhe po ashtu në minutat e para shënoi gjithashtu Gregoriç.
Baumgartner fiksoi shifrat 4-0 që në 27’, dhe më pas austriakët u duk sikur thjesht pritën fundin e ndeshjes duke nisur pushimet para kohe.
Në të njëjtin grup, Rumania e pati paksa më të vështirë në Bukuresht ndaj Qipros.
Fitorja ishte e pastër, 2-0 në “Stadiumin Kombëtar”, me gola shënuar në fund të pjesës së parë nga Tënase dhe Man.
Në krye të këtij grupi është Bosnje-Hercegovina me 9 pikë të plota, Austria ka 6, po aq sa Rumania.

