Sergio Ramos, qendërmbrojtësi i Real Madrid, ka folur së fundmi për Ivan Zamorano për TUDN. Një nga temat e diskutimit ka qenë edhe “Topi i Artë” dhe spanjolli mendon se duhet bërë edhe një trofe për lojtarët e tjerë, veç Messit e Ronaldos që e kanë fituar thuajse çdo vit në dekadën e fundit.
“Mund të bëjnë një Top të Artë vetëm për Messin dhe Ronaldon. Pastaj një tjetër për pjesën tjetër të futbollistëve. Do të ishte më mirë për futbollin kështu”, shprehet Ramos, i cili ka vlerësuar holandezin e Juventus, Matthijs De Ligt.
“Ai është një mbrojtës me një të ardhme të madhe. I duhet eksperiencë, por ai është një lojtar për të ardhmen” ka shtuar spanjolli, i cili më tej ka treguar edhe ngjarjen më të rëndësishme të viteve të fundit për të. Bëhet fjalë për golin e shënuar në shtesë në finalen e Champions ndaj Atletico Madrid, në vitin 2014.
“Goli në Lisbonë është më domethënësi i viteve të fundit për mua personalisht dhe për Real Madrid. Ai ndryshoi historinë, pasi na ndihmoi të fitonim përsëri dhe të ngrinim tre trofe radhazi. Nuk mund të them cili Champions i fituar më pëlqen më shumë, sikurse nuk mund të thuash cilin nga fëmijët do më shumë. Është e njëjta situatë”, është shprehur Ramos. /abcnews.al