LeBron James, pension apo titull/ Legjenda e koshit përjeton një tjetër dështim në NBA

schedule17:29 - 4 Maj, 2025

schedule 17:29 - 4 Maj, 2025

E di se nuk do të mundet të vazhdojë gjatë kështu. LeBron James do të mbushë 41 vjeç në dhjetor të këtij viti dhe koha për të synuar një titull në NBA po mbaron.

I mbiquajturi “Mbreti i basketbollit” dështoi sërish në ambicien e tij për të qenë për herë të pestë kampion i basketbollit amerikan dhe për t’iu afruar atij që cilësohet si më i madh lojtar i të gjitha kohëve, Majkëll Xhordanit.

Legjenda e Çikagos ka 6 tituj, dhe Lebron do ta ketë të vështirë të arrijë tek pesa. Disfata e fundit ishte duke u gdhirë kjo e enjte sipas kohës shqiptare, kur Minesota Timbërulvs eliminoi Lejkërsat që në raundin e parë të play off-it.

Ishte një dështim i hidhur, pasi Lebron me shokë fituan vetëm një duel dhe humbën katër të tjerë, dy prej të cilëve në shtëpi.

Nuk bëri punë niveli i lartë i Xhejmsit, që shënoi 22 pikë, kapi 7 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, si dhe vodhi dy topa.

Gjithsesi, lodhja u ndje, sidomos përballë yjeve më të rinj dhe më energjitë të Minesotës me në krye Entoni Eduardsin, që shpesh herë të shuan mallin e Xhordanit.

Lebron gaboi shumë në gjuajtje, ndërsa as Luka Doncic nuk bëri punë, ndonëse shënoi 28 pikë, kapi 7 topa në tabela dhe shërbeu 9 asistë. Lejkërsave u mungoi një qendër, pasi Entoni Dejvis u largua, dhe centimetrat i dënuan.

Që kur u fitua titulli në 2020, skuadra e madhe është eliminuar në raundin e parë të play off-it 4 herë në 5 sezone, ndërsa shpresa është të sigurohet një lojtar qendër në verë, dhe që Lebron Xhejms të mbetet në formë edhe 41 vjeç. Kjo nuk është aspak e sigurt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!