Fati i vendosi përballë Dinamon. Vllaznia do të ndeshet me kryeqytetasit në gjysmëfinalen e play off-it për titull dhe trajneri Tomas Brdaric e di sesa e vështirë do të jetë, ndonëse është shumë i qartë për atë që kërkon.
Gjermani me origjinë kroate komenton duelin me kolegun Ilir Daja, në intervistën për Abc Neës.
“Kemi investuar shumë për të arritur në këtë situatë ku jemi sot. Gjithsesi, tani nuk është koha që të jemi të kënaqur me çfarë kemi arritur, por duhet të hedhim hapin e dytë, të fitojmë titullin dhe për këtë duhet të luajmë siç duhet. Ne tashmë jemi mësuar me këtë presion. Për mua kjo nuk është diçka e re. Natyrisht, këto janë ditë të veçanta. Kur luan ndeshjet duhet të përgatitesh për gjithçka. Daja është një trajner shumë i mirë, me karrierë të gjatë. Kam shumë respekt për të dhe për Dinamon, por duam të tregojmë se kush jemi”.
Çfarë ka ndryshuar në krahasim me herën e parë që Brdaric ishte në Shkodër.
“Përvoja. Tani kam më shumë përvojë. Kanë kaluar pesë vite që kur erdha për herë të parë tek Vllaznia, dhe në këtë periudhë unë punova në Kuvajt dhe në Indi. Më vjen keq që klubi nuk përparoi dhe nuk krijoi kushtet e duhura të punës. Stërvitemi në të njëjtat kushte si përpara pesë viteve. Klubi duhet patjetër të punojë për këtë. Gjithsesi, ne kemi për detyrë të luftojmë për titullin. Kemi punuar për këtë dhe të shohim se çdo të ndodhë. Ne do të bëjmë çmos”.
Sa mundësi ka realisht Vllaznia për ta fituar titullin më në fund?
“Sipas mendimit tim kemi një shans të madh. Nuk kemi vetëm dëshirë të madhe, por edhe potencial më të madh. Kjo është shumë e rëndësishme. Kemi edhe pak ndeshje dhe duhet të japim maksimumin. Natyrisht, në fillim është ndeshja e parë dhe duhet të kualifikohemi për në finale. Ne i kemi të gjitha mundësitë për ta fituar titullin, por si gjithmonë duhet edhe pak fat”.
Si ndihet një gjerman në Shkodër, qoftë edhe me origjinë kroato-serbe.
“Si t’ua shpjegoj. Është si një fshat i madh. Natyrisht, Tirana është diçka tjetër. Gjithsesi, mua më pëlqen të jem në Shkodër. E dua shumë këtë qytet, që nuk është i madh, por që ka njerëz me zemër të madhe dhe të mirë. Shkodra të jep shumë, por në të njëjtën kohë kërkon shumë prej teje. Kemi shumë tifozë, dhe jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë. Nëse fitojmë titullin për ta, kjo do të ishte arritja jonë më e madhe”./abcnews.al