Sulmuesi i Kukësit, Vasil Shkurtaj, shënoi golin e barazimit në atë fitore 1-3 të skuadrës së tij përballë Tiranës. Bomberi shënoi me Panenka nga pika e bardhë e penalltisë. Pas ndeshjes, Shkurtaj foli për mediet e pranishme në stadium, duke prekur disa tema.
“Ndihem shumë mirë që u ktheva te golat. Jam i kënaqur që fitoi ekipi edhe po shikojmë ndeshjen tani me Teutën. Panenka? Ishte zgjedhje e momentit, mendova të gjuaj në atë mënyrë dhe më doli e bëra gol, kjo ka rëndësi. Rrezikova pak, se preku në shtyllë. Topi e kishte kaluar vijën, më thanë dhe çunat mbrapa që topi e kishte kaluar vijën dhe ishte gol.
Golat ndaj Tiranës? E vërteta është që gjithmonë kur kam luajtur kundër Tiranës, kam shënuar. Edhe mua personalisht, edhe ekipit, kjo fitore na jep shumë motivim dhe na ndihmon nga ana psikologjike për ndeshjet tjera. Titulli? Nga fillimi i sezonit, ky është objektivi ynë. Kemi një ekip shumë të mirë dhe me lojtarë që kanë cilësi. Objektivat personalë? Të bëj sa më shumë gola dhe të ndihmoj ekipin të arrijë objektivat.
Presioni nga Nwabueze? Jo, nuk e mendoj kështu. Para se të dëmtohesha, ishim njësoj me gola. Ai luajti tre ndeshje më shumë se mua dhe më kaloi kur isha i dëmtuar, por nuk është diçka që unë e mendoj. Jo, nuk më motivon rivaliteti me Nabueze, por te fitojë ekipi”./abcnews.al