Bylisi tregon sërish muskujt dhe këtë herë ndaj Partizanit kryesues, që e ka mposhtur me rezultatin e ngushtë 2-1. Një fitore me shumë vlera, që i ngjit momentalisht ballshiotët në vendin e dytë në klasifikim dhe diferenca me të kuqtë kryesues është vetëm 7 pikë. Skuadra e Lerdës ka marrë një goditje para derbit dhe i duhet të reagojë në një sfidë delikate, ku nuk do të ketë Brojën dhe Telushin të pezulluar.
Në takimin e sotëm të kuqtë e nisën në disavantazh, pasi Belica devijoi një top të gjuajtur nga Ndreca dhe portieri Alban Hoxha e kishte të pamundur ta shmangte golin. Festë në Ballsh, por që nuk zgjat shumë. Broja nuk e shfrytëzoi një mundësi të artë shënimi, ndryshe nga se bëri Bardhi në të 26′. Sulmuesi shtatshkurtër, me kokë e ndëshkoi Hidin. 1-1 përfundoi pjesa e parë.
Bylisi edhe pjesën e dytë e nisi mirë, teksa kur kishin kaluar dhjetë minuta arriti të shënonte. Guindo, pas një krosi të Ntephe, e dërgoi topin në rrjetë. Miqtë kishin pretendime për një pozicion jashtë loje, por goli u konsiderua i rregullt dhe Bylisit iu desh të mbronte rezultatin deri në fund. Nuk mungoi as tensioni, teksa Bruno Telushi u ndëshkua me karton të kuq dhe Lerda duhet t’i bëjë llogaritë pa të në derbi. Hidi ishte vendimtar në fund, duke shmangur golin e barazimit, pas një gjuajtje me kokë të Bardhit. /abcnews.al