Afrim dhe Ali Cimili, babë e bir, nga Dërmenasi i Fierit janë shpallur në kërkim pas plagosjes me armë zjarri të një gruaje. Ngjarja ndodhi në mesditë në segmentin rrugor Fier -Seman në degën që lidh këtë aks me rrugën drejt fshatrave Sulaj dhe Hamil.
Suzana Mërnica ishte në motomjet të cilin e drejtonte i biri duke u kthyer në shtëpinë e tyre në fshatin Sulaj. Në dalje të rrugës dytësore ata janë përballur me të shtëna arme zjarri nga një makinë në ecje.
Nga të shtënat mbeti e plagosur Suzana Mërnica 46 vjece ndërsa autorët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja. Gruaja ndodhet në spitalin e Fierit jashtë rrezikut për jetën. Policia identifikoi autorët pas dëshmisë së djalit të Mernicës i cili tha se u qëlluan nga Afrim dhe Ali Mernica.
Këta të fundit u shpallën në kërkim dhe për kapjen e tyre janë ngritur postblloqe në akset hyrëse dhe dalëse të Fierit. Burime nga blutë e Fierit thanë se mes familjeve Mërnica dhe Cimili ka ndodhur një konflikt 6 muaj më parë, por nuk dhanë sqarime për natyrën e konfliktit. Hetimet vazhdojnë paralelisht me kërkimet për kapjen e autorëve
/abcnews.al

