TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama gjatë fjalës që mbajti në takimin e dytë të nivelit të lartë “Shqipëria2030 në BE-Rruga e Reformave” tha se integrimi i vendit në BE është garant i të drejtave dhe lirive njerëzore.
Ai theksoi se edhe popujt e unionit e kanë kuptuar se Bashkimin Evropian është qartësisht një “perimetër sigurie”.
“Ka qenë shumë e rëndësishme puna e këtij komisioni të posaçëm. Para pak kohe, doli një anketë për nivelin e mbështetjes së BE brenda BE nga popujt që e përbëjnë, një anketë që publikohet që nga 1983.
Dhe që prej atij viti, BE nuk ka qenë më popullor brenda perimetrit të vet sesa aktualisht.
Është një ndryshim dramatik i këndvështrimit popullor në BE që natyrisht vjen si rezultat i faktit se çka ishte marrë deri para pak kohësh si e mirëqenë nuk është më e mirëqenë dhe instinktivisht popujt e BE, unë them pjesa perëndimore e përkëdhelur nga fakti se për herë të parë një histori një gjeneratë e tërë nuk ka parë një luftë, janë vetëdijësuar se BE është edhe një perimetër sigurie, brenda të cilit vendet dhe popujt që e përbëjnë ndijohen dhe duan të mbeten të pa kërcënuar në të gjitha ata që kanë arritur dhe mbi të gjitha në lirinë e tyre individuale dhe barazinë e tyre përpara ligjit.
Patjetër pastaj edhe në aspekte e tjera, që bëjnë BE një krijesë të jashtëzakonshme politike. Për ne shqiptarët ka qenë përgjithësisht me e thjeshtë dhe mbetet më e thjeshtë pse-ja e domosdoshmërisë së të qenit anëtarë të BE. Të qenit anëtarë, është të qenit përfundimisht të lirë nga hija e historisë sonë”, tha ai./abcnews.al

