BE ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiç që e quajti masakrën e Reçakut një trillim. Zyra e BE-së tha se qëndrime të tilla janë në kundërshtim me projektin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE
“Mohimi dhe revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Europian dhe janë në kundërshtim me projektin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”, tha ajo duke nënvizuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka nevojë për pajtim, dhe për punë të ndershme në respekt të viktimave.
“Autoritetet duhet të punojnë që e kaluara të vlerësohet në mënyrë të ndershme dhe ashtu siç është në respekt të viktimave. Rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të raporteve”, thuhet më tej nga BE.
Ndërsa lidhur me dënimin me dy vjet burg për ish-ministrin e Listës Serbe, Ivan Teodosijeviq, pas deklaratave të tij lidhur me masakrën e Reçakut, BE tha se u përket gjykatave që të përcaktojnë nëse deklarata të caktuara përbëjnë vepra penale dhe dënimi duhet të jetë proporcional duke marrë parasysh të gjitha elementet e çështjes.
Ivan Teodosijviq u dënua me dy vjet burg pasi e cilësoi masakrën e Reçakut si fabrikim./abcnews.al