Shumë ndryshime kanë ndodhur këtë periudhë në pankinat e klubeve të Premier League. Tottenham, Arsenal, Watford dhe Everton kanë shkarkuar trajnerët, por ka edhe nga ata po tentojnë të rinovojnë me trajnerët aktualë. Leicester City është një prej tyre. “Dhelprat” po zhvillojnë një sezon fenomenal, renditen në vend të dytë dhe i kanë fituar të shtatë ndeshjet e fundit në kampionat.
Brendan Rodgers ka merita të padiskutueshme, jo më kot kërkohet me insistim nga Arsenal. Gjithsesi, trajneri i Leicester City do të vazhdojë të qëndrojë në “King Power Stadium”. Irlandezo-veriori mori drejtimin e ekipit në fund të shkurtit, kontrata e tij përfundon në vitin 2022. Klubi ka menduar prej kohësh t’i dhurojë rinovimin, teksa ka ardhur momenti i duhur për të vlerësuar punë e madhe.
The Telegraph raporton se akordi është arritur. Rodgers do të vijojë të jetë trajneri i Leicester, rinovimi do t’i sjellë një rritje të konsiderueshme të rrogës (aktualisht përfiton 5 milionë sterlina në sezon), teksa kontrata e re do të zgjasë deri në vitin 2025.
Një lajm i mirë për tifozët e Leicester dhe aspak i tillë për Arsenalin. “Topçinjtë” duhet të shohin për një alternativë tjetër, teksa Rodgers dhe djemtë e tij do të tentojnë fitoren e tetë rresht të dielën në fushën e Aston Villa. /abcnews.al