“Shqipja është simbolikisht fytyra e pasaportës zero,‘’shqipe Tirana’, me kombësi shqiptare, qytetare shqiptare, me një pasaportë evropiane.”
Me këtë simbolikë sesi do të jetë pasaporta shqiptare pas anëtarësimit në Bashkimin Europian, Edi Rama shpalosi vizionin për Shqipërinë 2030.
Në një skenë ku shfaqeshin arritje kryesore të qeverisjes socialiste, kryeministri renditi përfitimet që do të kenë qytetarët kur vendi ynë të bëhet anëtar me të drejta të plota i unionit.
“Sa herë zbresim prej 35 vjetësh në një aeroport në Itali, Gjermani, Greqi, kudo tjetër në BE, na tregojnë me gisht një korridor më vete, ku duhet të shkojmë dhe të futemi në radhë si në kohërat e vjetra. Kjo është një histori që mund të vazhdojë shumë gjatë akoma, nëse ne së bashku nuk e mbyllim përfundimisht duke i vënë kapak në mënyrë që të mos na ndajë më askush nga ajo tufa e bashkudhëtarëve tanë evropianë, kudo ku lëvizim brenda perimetrit të BE, që të mos hyjmë më në radhë, që të mos japim më llogari përpara një polici në aeroport, sepse po hyjmë në një vend të BE-së. “
Ndaj për të qenë qytetarë të barabartë Europian, Rama tha se në 11 maj, shqiptarët kanë vetëm një alternativë, partinë socialiste.
“Kush e do pasaportën e be duhet të japë kontribut që Shqipëria të futet në BE dhe kontributi për Shqipërinë në BE është investimi i votës aty në qendër të fletës së votimit ku është numri 5 dhe ku shkruan PS dhe Edi Rama. Askush tjetër, këtë duhet ta bëjmë të qartë, nuk i pajis dot shqiptarët me pasaportën e BE brenda kësaj dekade. Çdo luhatje, çdo konfuzin e bën afatin e 2027 të digjet.”
Por kjo votë nuk është vetëm për pasaportën europiane. Kryeministri tha se duke filluar nga janari 2026 paga minimale do të jetë 500 euro ndërsa rritje do të ketë edhe ajo mesatare.
“Vazhdojmë me pagën minimale në vitin 2013, kur ne e morëm detyrën, paga minimale ishte 157 euro. Sot, 2024 u mbyll me pagën minimale 400 euro dhe duke filluar nga janari 2026 me një vendim që do të merret pas zgjedhjeve kur do të bëhet edhe akti normativ i qershorit, paga minimale do të jetë 500 euro. Sot, në vlerësimin e fundit të pavarur të bërë nga INSTAT-i të konfirmuar nga organizatat financiare ndërkombëtare, paga mesatare për vitin 2024 në sektorin publik u mbyll 1 mijë euro, ndërsa në Shqipërinë 2030, do të jetë të paktën 1200 euro.”
Rama foli edhe për objektivin e qeverisë sa i përket rrritjes së pensioneve.
“Ambicia jonë është që në Shqipëri, në 2030, pensioni mesatar të jetë 400 euro për të gjithë ata që kanë paguar sigurime të plota. Ndërkohë që, pensioni minimal për të gjithë të tjerët, ne do të synojmë që të shkojë në 200 euro, pra pavarësisht të gjitha të tjerave.”
Pas Italisë, prioritet i mandatit të katërt është mbyllja e marrëveshjes së pensioneve me Greqinë.
“Brenda mandatit të katërt duan të mbyllin marrëveshjen me Greqinë, por – i rikthehem Shqipërisë në Bashkimin Europian, i rikthehem pasaportës Europiane të Shqipërisë, sepse – me hyrjen në Bashkimin Europian, e thashë dhe më parë dhe po e përsëris, të gjithë ata në Greqi që kanë problem njohjen e pensionit, marrin atë pasaportën e kuqe me shqiponjën tonë dy krenare me logon sipër Bashkimi Europian.”
Një koment, Rama e kishte edhe për kritikët, për premtimin e tij për 300 mijë vende pune, asokohe kur ishte në opozitë.
“Kur ne e morëm detyrën, Shqipëria kishte 1 milion e 23 mijë të punësuar. Kur ne morëm detyrën, Shqipëria kishte 1 milion e 23 mijë të punësuar. Sot, numri i të punësuarve në regjistrin e vitit 2024 është 1 milion e 327 mijë. Pra, nga 1 e 23 në 1 e 327, janë apo nuk janë më shumë se 300 mijë vende të reja pune kështu thotë regjistri, kështu thonë pagat që jepen, kështu thonë të ardhurat që merren nga ato paga.”, tha Rama.
/ abcnews.al


