Banorët e Tiranës, banesat e të cilave janë shpallur të pabanueshme prej tërmetit të 26 nëntorit do të përfitojnë një bonus qiraje nga Bashkia. Për ABC News, nënkryetarja e Bashkisë, Anisa Ruseti tregoi të gjithë dokumentet që do u duhet qytetarëve për të përfituar bonusin e qirasë për një vit.
Nuk janë pak, janë 1649 banorë të Tiranës të cilët prej 26 nëntorit nuk jetojnë në banesat e tyre. Shtëpitë e tyre janë vlerësuar të rrezikshme dhe këto ditë po i kalojnë në qendra sociale, palestra dhe çadra. Anisa Ruseti, nënkryetare e Bashkisë së Tiranës në ABC News tregon se ky është një strehim i përkohshëm për ta dhe sqaron hapat për t’u strehuar në një ambient më të përshtatshëm.
“Familjet janë të lira të aplikojnë për bonusin e qerasë, duke shkuar te njësia administrative, të gjejnë apartamentin që ata gjykojnë që është më i përshtatshëm për to, dhe unë besoj që prej javës tjetër do të disbursojë bonuset e para të qerasë”.
Plotësimi i formularit është vetëm hapi i parë. Aplikantët do u duhet të vërtetojnë që banesa e tyre është e pabanueshme dhe të paraqesin disa dokumente të tjera shtesë.
“I vetmi dokument që kërkohet është plotësimi i formularit, akt verifikimi dhe konstatimi nga Instituti i ndërtimit, i cili e shpall të pabanueshme apartamentin apo banesën e tyre, një certifikatë familjare, numrin e llogarisë bankare ku do të duhet të kalohen lekët pas miratimit të këshillit bashkiak”.
Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë nuk jep një afat kur përmbyllet ky proces, por shton se:
“Ne nuk kemi vendosur masë shtrënguese se ku duhet të jetë banesa, por sigurisht kemi marrë vlerën mesatare të tregut që ndodhet specifikisht jo në qendër të Tiranës pasi aty banesat janë më të shtrenjta”.
Ndryshe do të veprohet me banorët e zonave rurale që banesat i janë konsideruar të pabanueshme.
“Në zonat rurale, kryesisht familjarët na kanë kërkuar që ne të mund ti ngremë cadra sepse janë të lidhur me tokën, me bagëtinë e tyre ose edhe me jetesën, dhe të gjithë njësitë tona administrative në zonat rurale kanë ndjekur këtë strategji për të akomoduar familjet”.
Sipas bilancave të bëra deri më tani pritet që numri I njerëzve që do të kenë nevojë për strehim në Tiranë dhe zonat përreth të shkojë në rreth 2 mijë./abcnews.al