Tuneli i Murrizit u hap sot për qarkullimin e mjeteve pas një pune sfiduese që në nisje të tij për shkak të gjeologjisë problematike të zonës nëpër të cilën kalon.
Tuneli i Murrizit i cilësuar edhe si shtylla kurrizore e rrugës së Arbrit, përbëhet nga dy tunele, nga tuneli kryesor me një gjatësi prej 3789 dhe tuneli i emergjencës me gjatësi 3781m, i përbërë nga 11 hyrje dhe dalje.
Në një intervistë në “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Eriola Muka, nga drejtoria e Përgjithshme, MIE e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë projekt. Ajo u shpreh se Rruga e Arbrit është e rëndësishme në perspektivën e zhvillimit të infrastrukturës në Shqipëri.
“Sot është një ditë e rëndësishme në perspektivën e zhvillimit të infrastrukturës në Shqipëri. Pasi hapja dhe përdorimi i plotë i Rrugës së Arbrit, përbën një hap historik për vendin dhe integron rajonin verilindor. Nuk besoj që ka të bëjë më këmbënguljen për një projekt specifik, pasi është një nga investimet strategjike. Ka qenë shumë e vështirë për të aksesuar rajonin e Dibrës. Përfundimi i kësaj rrugë, bërja pjesë e infrastrukturës, dhe integrimit i atij rajoni me vende të tjera dhe vendet fqinjë do të ketë edhe një akses më të mirë për zhvillimin e ekonominë lokale”, tha ajo

