Agron Malaj do të jetë një nga kandidatët për deputet të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit.
Kryebashkiaku i Matit ka vënë në dijeni Këshillin Bashkiak për largimin nga detyra, ndërsa këshilli ka njoftuar mbledhje jashtë radhe ditën e Mërkurë për të zgjedhur një nga zv/kryetarët për të drejtuar bashkinë deri në zgjedhjet e reja vendore.
Në listën e Partisë Socialiste, Malajt do ti bashkohen edhe kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo, kryebashkiaku i Tepelenës Termet Peci dhe kryebashkiakja e Dimalit.
Lëvizje ka patur edhe ndër rradhët e deputetëve. Petro Koçi ishte I pari nga socialistët e vjetër që njoftoi tërheqjen nga gara, pas vendimit të Edi Ramës që deputetët qoftë edhe me një mandate do të garojnë në listë të hapur. A
“Unë nuk do të jem në listën përfaqësuese të kandidaturave për deputet, jo për ndonjë paburrëri politike, frikë dështimi personal apo braktisje të shpirtit të solidaritetit, por sepse ndryshe nga të gjithë ju jam i vetmi që nuk kam shansin e startit në kushtet të barabarta sepse nuk kam në ngarkim një zonë përgjegjësie politike elektorale.
Unë do të punoj me sa më ha krahu dhe kudo më shpien këmbët për fitoren e PS në zgjedhjet e 11 majit.”u shpreh Koçi.
Vendim të cilin e kishte paralajmëruar edhe një ditë më parë, ne emisionin Real Story në Abc News.
Deputetët burra nuk do të jenë të vetmit që do kërkojnë vota për veten në listë të hapur. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët mëngjesin e kësaj të marte, Edi Rama nuk përjashtoi as gratë nga ky rregull.
“Do jetë skuadra me e vjetër në eksperiencë dhe me e reja në energji. Dje bëmë të qartë vijën parimore të ndarjes së detyrave, kush ka qoftë dhe një mandat do jetë në fushëbetejë për të marrë vota për veten dhe PS, burrat nuk diskutohen, por dhe për gratë dhe vajzat nuk përjashtohen.”
Tregon edhe sesi do të jetë konfigurimi i parlamentit të ri.
“Në listën e mbyllur do të jenë njerëz që hyjnë për herë të parë në parlament, që vijnë nga kontribute të caktuara në shoqëri.”
Lista përfundimtare e skuadrës me të cilën Edi Rama do të shkojë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit do të zyrtarizohet nga kryesia e partisë socialiste, e cila do mblidhet pasditen e së mërkurës.
Sipas Ramës, më së shumti këto zgjedhje kanë rëndësi gjeopolitike, ndaj i vetmi program i PS është Bashkimi Europian.
“Është hapur një dritare mundësie dhe për herë të parë vota e shqiptareve dhe e shqiptarëve në një palë zgjedhje politike është një votë edhe gjeopolitike, është një votë me një peshë të rëndësishme gjeopolitike në funksion të pozicionit të Shqipërisë. Dhe aq më tepër në një botë që po lëkundet në aspektin e sigurisë.”
Ndaj edhe hapja në Shqipëri e zyrës së Parlamentin Europian, për Edi Ramën është rikonfirmim i mbështetjes për vendin tonë.
“Parlamenti Europian me hapjen e kësaj zyre në Shqipëri konfirmon një strategji më të gjerë të BE-së dhe nga ana tjetër përcakton pa diskutim Shqipërinë, si një pikë referimi jashtë perimetrit të Bashkimit Europian dhe si vendin që së shpejti do të jetë anëtare e Bashkimit Europian.” / abcnews.al

