Sot është një emër i njohur. Edhe pse jo një Mesi apo Ronaldo, për Mirlind Dakun ka rëndësi që është I shquar në kombëtaren shqiptare dhe tek Rubin I Kazanit në elitën ruse.
Sulmuesi kuqezi, njëri nga më të mirët e Shqipërisë dhe të futbollit të Rusisë, tregon një pjesë të historisë së jetës së tij në një intervistë për televizionin e klubit. Në fillim flet për fëmijërinë.
“Unë kam qenë një fëmijë që dilja nga shtëpia në mëngjes dhe kthehesha në mbrëmje. Gjithë ditën, doja të luaja dhe të vrapoja. Kam jetuar në një familje që nuk e ka pasur të lehtë, sepse ne kishim gjyshin dhe gjyshen, ishim katër fëmijë, dhe vetëm babai im punonte. Për të ishte shumë e vështirë. Ai lodhej në maksimum për të sjellë të ardhura në shtëpi, por kurrë nuk zgjodhi rrugën e shkurtër, rrugën e keqe, për të fituar para”.
Në trup ka disa tatuazhe, mes të cilëve një “pa rrezik, nuk ka sukses”, dhe një tjetër.
“Unë kam një tatuazh të Obafemi Martinsit. Lojtarit të Interit. E kam pasur këtë fanellë të tij kur isha I vogël, ma dhuroi babai. Ne kishim një dyqan aty afër që shiste fanela futbollistësh. Unë shkoja të luaja futboll bashkë me vëllanë tim të madh, dhe unë gjithmonë vishja këtë fanelë të Obafemi Martinsit. Në atë kohë mua më thërrisnin “Martins”, për shkak të kësaj fanele. Kjo është bluza e parë e futbollit që unë kam pasur. Ju e dini që ai ka luajtur edhe për Rubinin. Unë këtë nuk e dija”.
Ndoshta pakkush e di që Daku për pak e la për fare futbollin.
“Skuadrat e qytetit tim nuk më vlerësuan dhe për 6 muaj unë e lashë futbollin, dhe nisa të isha në një shoqëri të disa djemve që nuk merreshin me punë të mira. Nuk isha si më parë. Falë zotit, unë nuk vazhdova me këtë shoqëri më shumë se 6 muaj. Unë kisha një shok, të cilin do ta falënderoj për gjithë jetën, sepse më mori në telefon dhe më tha se ekipi kishte nevojë për një sulmues. Shkova dhe shënova me roveshatë në stërvitjen e parë. Trajneri më mori në ekip. Në 6 muajt e parë në ekip unë mora 50 euro”.
Si e përjetoi Daku thirrjen në kombëtare.
“Për mua ishte realizimi I një ëndrre. Unë kisha pritur shumë gjatë për këtë moment. Thirrja në kombëtare erdhi në kohën e duhur. Isha I grumbulluar me Rubinin për një ndeshje, dhe po shkoja të flija kur në telefon më erdhi një mesazh. Falë zotit unë ia dola, dhe pata një ndjenjë të pabesueshme. Unë debutova ndaj Çekisë. Isha shumë I emocionuar dhe bëra disa gabime. Në ndeshjen e dytë mendova se trajneri nuk do të më aktivizonte, por ai më besoi dhe pas 30 sekondave unë shënova. Isha shumë I emocionuar. Nëse kualifikohemi për në Botëror, do të ishte gjëja më e bukur që do të ndjeja në karrierën time si futbollist”.
Një pyetje e madhe është për ëndrrat që ka ylli shqiptar.
“Ëndrra ime është që të jep pjesë e një ekipi në Angli. Jashtë futbollit, ëndrra ime është që të bëhem baba. Më pëlqen shumë kjo gjë. Shpresoj që do ta arrij këtë në të ardhmen. Kjo është ëndrra ime, njëra nga më të mëdhatë ëndrra që kam”.

