Regjisori, Naser Shatrolli në një intervistë në “ABC e Mëngjesit” në ABC News foli për monodramën “Engjëjt”, e cila ka bërë bashkë tre artistë shqiptarë, Vefi Redhi, Naser Shatrolli nga Kosova dhe Odise Plaku nga Shqipëria.
Në vepër trajtohet gjenocidi serb ndaj popullsisë së pafajshme të Kosovës.
“Është një premierë goxha intriguese, është fakti që nisur prej tematikës, flet për gruan në Kosovë, e shtruar si ide si imazh, e shtruar në një kontekst pak më gjerë. Prek në damarët e gruas së Kosovës, të pagjeturit, fëmijët e saj që i kërkon në rrugët e Kosovës, në Prishtinë. Të flasësh për këtë plagë është varr i hapur, fakti që kemi afërsisht 1600 njerëz që janë fëmijë, bebe, të rritur, pleq, familjet e tyre vërtet nuk e kanë një varr që do të dëshironin ta kishin. E kam marrë me një përgjegjësi të madhe, pasi duhet të jemi kujdesshëm se si e flasim përpara publikut, sepse është shumë e afërt. Mua më ka zënë lufta në Podujeve, rrugëtimet e mia në këmbë me nënën time, me nipa e mbesa, i kam përjetuar drejtpërsëdrejti, vrasjet. Kam edhe familjar të humbur…Këto përjetime që i kam pasur të drejtpërdrejta më kanë detyruar të jem i kujdesshëm se si të trajtohen këto tema. Pasi po e zbehin luftën e Kosovës dhe të vërtetën e asaj që kanë ndodhur, duke i dhënë një konotacion jo shumë të vlefshëm”, tha ai.
/abcnews.al/


