TIRANË- Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Sokol Duma, i ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” tha se me anë të Paketës së Maleve parashikon incentiva dhe lehtësia fiskale të jashtëzakonshme.
Ai theksoi se ndërmarrjet apo aktivitetet binznesore, që do krijohen do përjashtohen nga skema e taksave për dhjetë vjet. Zëvendësministri tha se marrja e tokës me një euro ka disa kushte, ndërsa më bazikja është që ajo të ketë statusin e tokës shtetërore.
“Kontrata me një euro është me një kusht, me kusht që subjekti të vijojë me procesin e marrjes së lejes së ndërtimit dhe të vijojë më investimin që ka planifikuar në planin e zhvillimit. Ligji parashikon vetë incentiva, lehtësitë fiskale për një periudhë 10-vjeçare. Përjashtim nga taksat për ndikimin në infrastrukturë. Përjashtimi nga TVSH, përjashtim nga tatimfitimi për dhjetë vite”, tha ai.
Koordinatorja e Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural, Evelina Azizaj, tha se fokusi duhet vendosur tek promovimi i produkteve lokale, sepse janë pikërisht ato që e bëjnë një zonë të dalluar nga tjetra duke ruajtur vlerat turistike.
“Ato që kanë ngelur me rekomandimet lidhet me promovimin dhe mbështetjen e produkteve lokale. Në zonat rurale, ajo që e bën përvojën turistike e veçantë dhe autentike janë produktet territoriale lokale, që dallojnë një destinacioni nga një tjetër. Duhet të rritet promovimi dhe ndërgjegjësimi. Duhet promovimi i burimeve alternative të energjisë”, tha ajo./abcnews.al

