I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme, ka rrëfyer edhe një bisedë që ka zhvilluar me Talo Çelën, të cilët i ka kërkuar që të sqarohen përndryshe do t’i vriste personat krah tij. Sipas Dumanit, Talo Çela kishte urdhëruar vrasjen e vëllait të tij.
“Talo Çelës i kam thënë në Sky, hajde takohemi dhe sqarohemi, se unë do të t’i vras të gjithë. Ka audio voice në Sky Ecc ku ai më ka kthyer përgjigje edhe nga celulari Elio Bitrit, se kishte probleme me të shkruajturën shpejt. Talo Çela kishte urdhëruar Altin Ndocin të vriste vëllain tim.”, thotë Nuredin Dumani.
Ai zbulon gjithashtu se mjeti që u përdor për vrasjen e Bujar Çelës e kishin marrë te njerëzit e Ervis Martinajt. Ky mjet ishte planifikuar edhe për vrasjen e Preng Gjinit, sipas asaj që thotë Dumani.
“Një nga mjetet që u përdor në vrasjen e Bujar Çelës, një Renault, u mor te njerëzit e Ervis Martinajt. Ky mjet madje ishte planifikuar për t’u përdorur në vrasjen e Preng Gjinit, por ngaqë nuk u realizua, u përdor për këtë vrasje”, ka thënë Dumani.
I pyetur nga avokatët për çfarë flisnin me Enver Divën në Sky, Dumani u përgjigj: “Për vrasje me pagesë flisnim, nuk flisnim për politikë”./abcnews.al

