Vajzat dhe gratë janë viktimat kryesore të incidenteve në hapësirën kibernetike.
Rreth 4600 telefonata kanë mbërritur në Linjën e Këshillimit për Gra dhe Vajza vetëm vitin e shkuar, rreth 800 më tepër se një vit më parë. Afro 20% kanë kërkuar ndihmë për dhunë lehtësuar nga teknologjia.
Gratë dhe vajzat sipas specialistëve janë më të ndërgjegjësuara për të denoncuar dhunën fizike e psikologjike dhe më pak atë që iu ndodh në hapësirën kibernetike.
“Ka shumë raste kur gruaja vjen për një tipologji tjetër dhune, psikologjike, fizike, gjatë këshillimit ne konstatojmë se ka qenë dhe dhunë digjitale sepse bashkëshorti i ka vënë gps, mund ti vinte dhe një kamera jo gjithmonë e identifikon viktima”.
Në linjën e këshillimit na tregojnë se përgjithësisht dhuna online vjen nga persona të njohur, të afërm, partnerë e ish partnerë dhe më pak nga të panjohur. Si në rastin e kësaj telefonuese që pyeste ku të drejtohej për ndihmë.
“Keni një dyshim kush jua ka hakeruar instagramin?
“Dyshoj shumë tek ish partneri …”
Dhuna online i prek të gjithë. Nuk njeh status apo kufij gjeografik. Traumat e shkaktuara prej saj në shumë raste thonë specialistët mund të tejkalojnë ato të dhunës brenda mureve të shtëpisë.
“Nëse kemi dhunë offline kemi një ligj që na e rregullon. Dhuna online ka pasoja dhe më të medha tek viktima se një dhune ne familje ka katër, gjashë dëshmitare dhe ajo online ka më shumë dëshmitare dhe tek viktima përkthehet më shumë trauma”.
Për të mbrojtur vajzat dhe gratë në hapësirën digjitale linja e këshillimit ka depozitura projektligjin në parlament.
Masat për dhunuesit sugjerohet të nisin me gjobë, por Iris Luarasi mendon se ndëshkimet duhen përshkallëzuar dhe dhuna online duhet të konsiderohet krim.
“Ne e kemi përfunduar draftin për dhunën digjitale, linja këshillimit ka punuar shume fort prej dy vjetesh per dhunën digjitale.”
“Drafti tani është në parlament thjeshte pritet të vijojë me pjesën e tij.”
“Në fillim fare kemi kërkuar të jenë masa administrative, gjoba, pasaj unë mendoj se duhet të shkojmë një hap më tepër, ta kriminalizojmë dhe dhunën online, duhet jetë pjesë e Kodit Penal”.

