Champions ose pankinat. Nuk kanë zgjidhje tjetër Sergio Conceicao dhe Thiago Motta, respektivisht, trajnerë të Milan dhe Juventus.
Eliminimi dramatik në play off e turneut më të rëndësishëm të futbollit europian për klube e kanë bërë mbytës presionin ndaj dy teknikëve.
Madje, sipas “La Gazzetta dello Sport”, të dy kanë marrë ultimatum nga klubet e tyre.
Diskutimi është i thjeshtë. Si Conceicao, ashtu edhe Motta mund të qëndrojnë në pankinë pas këtij sezoni, vetëm nëse sigurojnë pjesmarrjen në Champions League edicionin e ardhshëm.
Një mision më i lehtë, të paktën në letër për trajnerin e Juventus.
Aktualisht, “Zonja e Vjetër” e ka në dorë biletën, pasi renditet në vendin e katërt me 46 pikë.
Por Juventus ndjen shumë afër rivalët. Lacio është në të njëjtën kuotë pikësh, ndërsa Fiorentina ka katër pikë më pas.
Më I vështirë është objektivi për Conceicao.
Milan mban vendin e shtatë në klasifikimin e përgjithshëm të Serie A, por kuqezinjtë kanë edhe një ndeshje për të rikuperuar.
Gjithsesi gara do të jetë shumë e fortë, ndërsa trajneri portugez dhe të besuarit e tij duhet të ndryshojnë kurs në një sezon plot oshilacione. Testi i parë i vështirë është ai i kësaj të shtune, ku Milan do të luajë në transfertë kundër Torinos, ku skuadra kuqezi duhet të kalojë edhe tronditjen e rëndë që mori në mesjavë me eliminimin nga Champions. /abcnews.al


