TIRANË- Shqipëria ka shtuar volumin e tregtisë në tregjet ndërkombëtare. Viti 2025 ka nisur me një rimëkëmbje të fortë të nivelit të eksporteve duke ndryshuar trendin e vitit të kaluar dhe efektet e dobësimit të euros.
Sipas Instat në janar të 2025 eksportet e mallrave arritën vlerën 31 miliardë lekë, duke u rritur me 21,7 %, në krahasim me Dhjetor 2024.
Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, e ftuar në “Money Report” në ABC News, tha se ndikim kryesor në rritjen e eksporteve kanë patur lëndët djegëse dhe mineralet.
Ajo theksoi se krijimi i një tregu unik në rajon do të ndihmonte ekonomitë respektive, pasi do të shkurtonte barrierat doganore dhe kjo do sillte rritjen e shkëmbimeve tregtare.
“Ndikimin kryesor e kanë dhënë lëndët djegëse dhe mineralet. Realizmi i një tregu unik rajonal rrit volumet tregtare”, tha ajo.
Ajo theksoi se autoritetet duhet të hartojnë politikë, të cilat nxisin prodhimin vendas dhe shtojnë kapacitet eksportuese.
“Nëse kemi mungesa prodhimi, do të thotë se kemi rritje të importeve. Dhe rritja e importeve do na marrë paratë që na ka sjellë turizmin. Duhet të forcohen eksportet e produkteve bujqësore. Duhet gërshetimi i politikave publike dhe biznesit, me qëllim të rritet prodhimi i produktit vendas, të gjendet tregu për shitjen. Kjo do na ndihmonte që fermeri të mos e shikojë zgjidhjen te emigrimi dhe largimi, por të jetojë dhe punojë tokën”, theksoi më tej Nunaj.
Ajo theksoi se rritja e eksporteve ndikohet kryesisht nga dy faktorë kryesorë, që janë cilësia dhe çmimi./abcnews.al

