Fatura finaciare e tërmetit, Malaj: Do të ketë rritje të përkohshme të borxhit

schedule17:38 - 2 Dhjetor, 2019

schedule 17:38 - 2 Dhjetor, 2019

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Malaj në studion e “ABC News” është shprehur se tërmeti që goditi vendin ishte thuajse shkatërrimtar duke shkaktuar fatkeqësi njerëzore dhe dëme të jashtëzakonshme.

“Jemi të vetëdijshëm se tërmetet godasin rrugë, shkolla, mbikalime, janë të paparashikueshme”, tha Malaj.

Malaj u ndal te fatura financiare e tërmetit duke theksuar se do të ketë një rritje të përkohshme të borxhit.

“Do përdorim instrumentë të ndryshëm. Ka propozime të veçanta financiare. Kostoja e borxhit do të rritet, por nuk e cënon stabilitetin, do të kemi rritje të përkohshme të borxhit. Qeveri ka premtuar që brenda një kohe të shkurtër do të bëjë publik koston. Fondet që vijnë nga të gjitha burimet do të mirëmenaxhohen”, tha Malaj.

Gjithashtu ai sqaron se tjetër gjë është kostoja e dëmit dhe tjetër gjë është kosto e rindërtimit.

Sa i përket kërkesës së kryeministrit Rama që të ndihmohet tashmë në vlerë monetare dhe jo në ushqime apo veshmbathje ai e cilëson si të drejtë.

“Është më e  drejtë financimi në para. Do të vendosë qeveria se kush do të ndërtojë. Paratë do të mblidhen do miratohet projekti dhe brenda një fondi do të ndërtohet ajo që është më mira, sepse nëse veprohet ndryshe krijohet mbivendosje”, tha Malaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!