Zgjedhjet e pranverës vijnë jo vetëm me risinë e votës së Diasporës, por edhe me një strukturë Task Forcë nga SPAK që do të monitorojë procesin.
Avokatja Margarita Kola u shpreh për ‘360 Gradë’ se strukturat e organizuara nga SPAK në kuadër të procesit zgjedhor nuk do të ndryshojnë diçka sepse vota është çështje mentaliteti.
Sipas avokates, SPAK duhet t’i mëshojë financimit të partive politike dhe se ngre pikëpyetje mbi procesin e monitorimit të votës së Diasporës.
“Së pari, nën juridiksionin e SPAK janë zgjedhjet dhe është e paparë të dalësh me një plan masash për zgjedhjet. Mua më duket një lloj sindrome që janë përfolur për disa dosje që kanë pasur lidhje me zgjedhjet më parë.
Unë personalisht nuk mendoj që kjo do ndryshojë diçka sepse mendoj që çështja e votës së lirë dhe një zgjedhje të lirë, një vote të fshehtë, është çështje mentaliteti. Është proces edukimi i politikanëve, nuk zgjidhet me një të rënë të lapsit. Mënyrat që do përdoren dhe ata që janë mësuar të vjedhin votën do të kenë planin e masave të veta, por jo se do ketë zgjedhje të lira pa vjedhjen e votave. Si mund të monitorohet vota e Diasporës? Pra SPAK do jetë vetëm në territorin tonë. Pyetja ime është që kush do e mbulojë këtë pjesë me plan masash? SPAK duhet ti mëshojë financimit të partive politike.”
Avokatja Enida Bozheku shprehet se ky plan masash është pozitiv dhe do të jetë një lloj garancie për procesin.
“Të dalësh me një plan masash të tillë do të thotë që informacioni që vjen nga terreni është problematik. Hija e rëndë e vetë strukturës bën që të ketë një kujdes më shumë, është një lloj garancie për qytetarët. Në aspektin e një platforme për kushtet shqiptare është pozitive.”
Gazetari Trashëgim Sokolaj u shpreh se në terren do të jenë agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurorë sipas qarqeve.
“SPAK ka kompetencë për korrupsionin ka dy nene që lidhet me korrupsionin. Nëse ndodh ngjarja e Elbasanit siç ka ndodhur në ngjarjet e kaluar, mund të ketë agjentët në terren që njoftojnë më pas policinë. Do të ketë agjent të BKH- se dhe prokurorë. SPAK nuk heton kanosjen apo falsifikimin e votës.”
/ abcnews.al


