Gjykata e Lartë ka rrezuar rekursin e Ilir Beqajt për heqjen e masës se “arrestit në burg” në kuadër të hetimeve për dosjen SASPAC. Në lidhje me këtë dosjer Beqaj mbahet I arrestuar prej korrikut të kaluar, bashkë me Ermal Kurtulajn dhe Alfred Nikollen.
Beqaj u ndalua më 4 korrik 2024 me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, SPAK për veprat penale të korrupsionit, shkelje të barazisë në tenderë dhe fshehje apo mosdeklarim të pasurisë apo interesave private – akuza që lidhen me disa procedura prokurimi të kryera nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), të cilën ai e drejtoi që nga themelimi.
Detyra e kësaj agjencie ishte menaxhimi më me efikasitet i fondeve të Bashkimit Evropian, që dyshohet se përfunduan në xhepat e Beqajt dhe bashkëpunëtorëve të tij. Gjykata ka lënë në qeli dhe bashkëpunëtorin e ish-ministrit, Ermal Kurtulajn, i cili mbante pozicionin e koordinatorit të programit ‘EUSAIR Facility Point’ të financuar nga Bashkimi Evropian.
Për të hetuarin Alfred Nikolla, i dyshuar për korrupsion aktiv dhe mashtrim, gjykata vendosi të zëvendësojë masën e arrestit me burg me atë të arrestit në shtëpi. Për të hetuarin Elton Marini, i dyshuar për “mashtrim”, është vendosur vazhdimi i masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi”. Po ashtu, është vendosur vijimi i masës “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore për dy personat nën hetim, Bledar Leka dhe Bjona Ziaj, të dy të dyshuar për veprën penale të mashtrimit.
Sipas SPAK, Beqaj dhe Kurtulaj, i emëruar si koordinator nga ish-ministri, dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat. Nga hetimet ka rezultuare se të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt. Fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese.
Ndaj Beqajt po zhvillohet edhe një tjetër process, këtë radhë në lidhje me dosjen e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, ku ish-ministri po hetohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit kriminal. /abcnews.al