“ZONJA X” e Serie A/ Barazimi numër 13 i Juventus në kampionat

schedule12:55 - 15 Janar, 2025

schedule 12:55 - 15 Janar, 2025

Jemi lodhur duke thënë se kanë harruar të fitojnë. Juventusi regjistroi barazimin e 13-të këtë sezon në Serinë A, dhe kjo në vetëm 20 javë kampionat.

Këtë herë nuk mund t’u jepet shumë faj të besuarve të trajnerit Tiago Mota, që ishte i pezulluar, sepse sfida ishte në fushën e Atalantës.

Në stadiumin e Bergamos, me Berat Gjimshitin për fat të kthyer nga dëmtimi, Atalanta reagoi pas pësimit të golit në nisje të pjesës së dytë, për rezultatin 1-1.

Kalulu kaloi “Zonjën e Vjetër” në epërsi në 54’, por ylli i Italisë, Mateo Retegi, goditi 12 minuta para fundit.

Përballja ishte shumë e fortë, dhe më në fund Juventusi pati më shumë raste dhe ishte më pranë fitores, ndërsa mban vendin e 5-të në renditje me 34 pikë.

“Il Korriere delo Sport” titullon sikur piemontezët kanë fituar skedinën: Juvja bën 13! Mos mbajtja e fitoreve bëhet makth! Teo plus Leao, rizgjim I Milanit!

“La Gazeta delo Sport” thekson se portieri I Atalantës, Karnezeki, e ndaloi “Zonjën” në barazimin e 13-të radhazi, ndonëse lajmëron se torinezët morën sulmuesin Kolo Muani nga PSG.

Për Milanin, gazeta shkruan se me Leaon u realizua një tjetër përmbysje e madhe.

E pra kuqezinjtë reaguan pas barazimit në “San Siro” ndaj Kaljarit.

Në Komo ishte tepër e vështirë, sidomos sepse vendasit kaluan në epërsi në pjesën e dytë, por kuqezinjtë dhanë atë paraqitje që I ndihmoi të fitonin Superkupën e Italisë duke mundur me përmbysje pikërisht Juventusin e pastaj Interin në finale.

Golit të shënuar nga Diao për Komon, iu përgjigjën Teo Hernandez në minutën e 71-të, dhe pastaj Rafael Leao në të 76’.

Trajneri Serzhio Konseisao po nis të vlerësohet përsëri, veçse rezultati nuk mund të fshehë dot vuajtjen.

Komo luajti shumë mirë, ndërsa Milani mbetet në vendin e 7-të me 31 pikë, ndonëse ka një ndeshje më pak dhe zona Champions nuk duket e paarritshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!