Policia ka dhënë të tjera detaje në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 13 Janar, ku 81 vjeçari Xhemal Meta u gjet pa shenja jete në oborrin e banesës së tij në Zall-Bastar.
Nga hetimet dhe ekzaminimi mjeko-ligjor, ka rezultuar se i moshuari ka dëmtime në pjesën e pasme të kokës, të dyshuara se janë shkaktuar nga goditje me sende të forta.
Për këtë arsye, janë referuar materialet në prokurori për veprën penale “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i kodit penal.
Gazetari Ervin Leka raporton se policia ka shoqëruar disa persona që dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen, megjithëse ende nuk ka një autor të dyshuar.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjor dhe për përcaktimin rrethanave konkrete të ngjarjes dhe shkaqeve të humbjes se jetës së të moshuarit./abcnews.al