Biden heq Kubën nga lista e vendeve që mbështesin terrorizmin

schedule22:50 - 14 Janar, 2025

schedule 22:50 - 14 Janar, 2025

Presidenti në largim i SHBA Joe Biden ka tërhequr Kubën nga lista e vendeve që mbështesin terrorizmin.

Pas vendimit të presidentit amerikan në largim, në listën e vendeve që mbështesin terrorizmin janë vetëm Siria, Irani dhe Koreja e Veriut.

Lehtësimi i sanksioneve

Në të njëjtën kohë, Biden do të kërkojë gjithashtu të anulojë një urdhër të lëshuar gjatë mandatit të mëparshëm të Trump, i cili kufizonte disa transaksione financiare me ushtarakë dhe civilë të lidhur me qeverinë kubane.

Presidenti në largim synon gjithashtu të pezullojë aftësinë e disa individëve për të paditur në gjykatat amerikane për pronën e sekuestruar në Kubë pas revolucionit të Fidel Castros në 1959, , sipas shkruan New York Times.

Ky vendim vjen pasi Kuba planifikon të lirojë një numër të konsiderueshëm të burgosurish politikë pas bisedimeve të Havanës me Kishën Katolike.

Donald Trump e kishte përfshirë Kubën në listën amerikane të sponsorëve shtetërorë të terrorizmit në vitin 2021, vetëm disa orë para përfundimit të mandatit të tij të parë, duke pretenduar se Havana kishte ofruar vazhdimisht “mbështetje për aktet e terrorizmit ndërkombëtar”, duke strehuar të arratisurit amerikanë dhe udhëheqësit e rebelëve kolumbianë.

Kuba kishte mohuar kategorikisht pretendimet e Trump, duke i quajtur ato një “mashtrim”. Kjo lëvizje e Trump kishte çuar në një “ngrirje” të ndihmës financiare nga SHBA, duke vendosur në mënyrë indirekte barriera “transaksioni” edhe për aleatët e ngushtë të Kubës./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!