Sanksionet e SHBA shtrenjtojnë naftën/ Rritet edhe çmimi i gazit prej kërkesës së lartë

schedule14:36 - 14 Janar, 2025

schedule 14:36 - 14 Janar, 2025

Çmimet e naftës dhe të gazit janë rritur së fundmi pas përmirësimit të kërkesës globale dhe sanksioneve të Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë. Kontratat feature të gazit u rritën në 4.37 dollarë, niveli më i lartë që prej dhjetorit të vitit 2022.

Çmimet e gazit natyror janë dyfishuar që nga tetori I vitit të kaluar kur llogariteshin nën 2 dollarë, nxitur kryesisht nga rritja e kërkesës prej motit të ftohtë në hemisferën veriore.

Të njëjtin trend shtrenjtimi ka ndjekur edhe nafta në tregjet globale, e shtyrë së nga ashpërsimi i sanksioneve të SHBA për naftën ruse, që shënjestrojnë dy prodhuesit kryesor dhe anijet që transportojnë naftë ruse. Kontratat feature të naftës brent kanë arritur pranë 80 dollarë për fuçi.

Çmimet e rritura të gazit dhe naftës paraqesin rrezik veçanërisht për ekonominë e eurozonës, duke ndikuar aktivitetet prodhuese, ndërsa shumë vende europiane po përballen edhe me pasiguri politike. Kjo mund të vërë në vështirësi perspektivën e inflacionit në vendet e unionit me rritje të kostove të mallrave dhe Banka Qendrore Europiane mund të përballet me sfida të zgjerimit të ekonomisë.

Ekonomistët thonë se Eurozona rrezikon pikërisht stagflacionin, që karakterizohet nga inflacion i lartë, rënie ekonomike dhe papunësi në rritje. Agjencia e Vlerësimit Standard and Poor’s tha në raportin e nëntorit të vitit të kaluar se pret që ekonomia e eurozonës të rritet me 1.2% përgjatë këtij viti, bazuar në skenarin e përshpejtimit të uljes së normave nga banka qendrore dhe një reduktim i mëtejshëm i inflacionit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!