Zhgënjejnë favoritët/ Atalanta, Juventus dhe Milan kthehen me barazime në Seria A

schedule14:04 - 12 Janar, 2025

schedule 14:04 - 12 Janar, 2025

Ishin favoritë, por zhgënyen të gjitha pritshmëritë në sfidat e para të 2025 në Serie A.

Atalanta, Juventus dhe Milan u kthyen në kampionat, pas impenjimit në Superkupën e Italisë, ndërsa nuk shkuan më shumë se barazimi në ndeshjet e tyre.

Skuadra e drejtuar nga Gianpieri Gasperini u ndal pa gola në transfertën kundër Udineze, duke shpërdoruar mundësinë për t’u kthyer sërish në vendin e parë  të renditjes.

Por mund të kishte shkuar më keq se kaq, pasi të zotët e shtëpisë ishin më të rrezikshëm, madje edhe pa fat në disa raste.

Me këtë barazim Atalanta rrezikon edhe vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm.

Shenja “X” nuk i ndahet në këtë sezon as Juventus, që shënoi një tjetër barazim 1-1 në derbin kundër Torinos.

Jilldiz kaloi “Zonjën e Vjetër” në epërsi që në minutën e tetë.

Por në shtesën e pjesës së parë, Vlasiç ktheu ekuilibrat në shifra, duke vulosur fatin e ndeshjes.

Si një derbi nuk mungoi as tensioni, megjithëse këtë herë ai us postua në pankina, me të dy trajnerët që u ndëshkuan me karton të kuq.

I njëti diskutim vlen edhe për Milan.

Të dehur nga suksesi në Superkupë, kuqezinjtë barazuan 1-1 në “San Siro” kundër Kaljarit.

Morata shënoi golin e epërsisë për milanistët, por festa e vendasve zgjati vetëm katër minuta.

Menjo i dhuroi rivalëve golin e barazimit, duke bërë që Milan t’I ikë nga duart një mundësi e artë për t’iu afruar rivalëve në garën për një vend në Champions sezonin e ardhshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!