Në Shijak nuk pati humbje në jetë njerëzore, por qindra banorë janë të pastrehë pasi bashkia i ka cilësuar ndërtesat e tyre të pabanueshme.
Grupi i xhirimit të “Abc News” dhe gazetarja Esiona Konomi na sjellin situatën në këtë qytet, me copëza jete brenda kampit të ngritur në kalçeto.
Të përlotur, të moshuarit që jetojnë të vetmuar, prindër që kanë ngelur me fëmijët jashtë, tregojnë se janë me sytë nga qielli dhe kanë filluar zbrazjen e shtëpive. Por ndryshe nga Durrësi, në Shijak nuk ka probleme për ushqim dhe veshje, pasi qendrat e përkohshme të strehimit përballojnë nevojat.
“Pallati…nuk jetohet, kam frikë se më zë poshtë. Jemi dy pleq…plaka me ilaçe unë me ilace, nuk ushqehemi dot”, shprehet një i moshuar që nuk i mban dot lotët.
Një nënë me fëmijë thotë “na gjeni ndonjë dhomë që të jetë e banueshme unë s’kam ku ti çoj. Nuk e di si do shkojë halli jonë. Zoti e bëftë mirë!”
Ndërsa kryetari i Bashkisë, Elton Arbana, thotë se rindërtimi i banesave do të nisë pasi të evidentohet niveli i dëmtimit.
“Janë 20 pallate të pabanueshme dhe disa shtëpi private, por duhen edhe ekspertë të fushës për ta vlerësuar taman dëmin. Aktualisht kemi 170 persona në këtë kamp dhe 60 persona në një palestër shkolle. Pra 230 persona kanë nevojë të strehohen”, shprehet kryetari i bashkisë.
Në këtë kalçeto, që është kthyer në qendrën më të madhe të pritjes, takuam dhe Oltin dhe Ersinin, gjinazistë nga Tetova, si dhe Fitoren, psikologen nga Maqedonia që kanë ardhur vullnetarisht të ndihmojnë.
Vogëlushëve ju është prishur rutina e tyre e përditshme. Ata nuk dihet se kur do të kthehen në shkollë. Në kamp, disa psikologë po përpiqen tu lehtësojnë dhimbjen të rriturve, duke cliruar nga ankthi të vegjëlit./Abcnews.al