Tregu i Rusit, një vend i njohur në Shkodër për tregtimin e produkteve bujqësore, dikur me kushte të mjerueshme higjeno-sanitare, të cilat rrezikonin shëndetin e konsumatorëve, – është sot një infrastrukturë e re, moderne dhe lehtësisht e aksesueshme nga banorët, që ofron shërbim në standardet më të larta për tregtimin e produkteve.
I përfunduar në kohë rekord, nga dita e nisjes së punimeve, tregu, bashkëfinancim i Bashkisë Shkodër me Agjencinë për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor (AZHBR), ishte gati në muajin dhjetor duke përballuar me kushtet më optimale fluksin e konsumatorëve për blerjet e fundvitit.
Kryeministri Edi Rama, u rikthye këtu vetëm disa muaj pas vizitës së tij në mars të vitit të shkuar, ku premtoi për banorët dhe tregtarët infrastrukturën e re, që tashmë është realitet.
“Ky është bërë komplet nga e para. Janë rreth 115 vende shitjeje të reja komplet. E kemi mbaruar relativisht në kohë rekord. Arritëm ta mbarojmë përpara Vitit të Ri që të përdorej si markatë. Për 5 muaj është ndërtuar. Kjo ka përfunduar, është në kushte të mira. Kemi aplikuar për pjesën e dytë siç e kemi diskutuar. Kemi fituar tek Ministria një projekt prej 300 mijë eurosh. Po përfundojmë projektin dhe shumë shpejt fillojmë me pjesën e thertores që do të jetë për mishin dhe peshkun. Do të bëjmë dhe ndonjë rregullim të vogël që mund të duhet.” – u shpreh kryetari i Bashkisë Beci, i cili shpjegoi edhe lidhur me projektet e tjera rreth zonës së tregut.
“Në këtë zonë, përveç tregut që po bëhet dhe pjesës së pallateve, kemi disa ndërhyrje. Përveç pjesës së fasadave, kapotave, këtu mbrapa kemi dhe dy projekte të tjera që është fusha e lojërave dhe konviktet. Ky është projekti i fushës dhe kemi filluar punën për konviktin me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Projekti që kemi bërë për mobilitetin, kemi nxjerrë tre parkime kryesore të qytetit; një është në Rus që është këtu dhe do të jetë nëntokësor, është një në Perash dhe tjetri që kemi poshtë Zdralës. Praktikisht, e gjithë zona këtu ka ndryshuar edhe me pjesën e fasadave, kapotave dhe infrastrukturës. Pra, i gjithë aksi nga hyrja deri në dalje të Shkodrës është komplet i rinovuar.” – shpjegoi Kryetari i Bashkisë Beci./abcnews.al