Vatra të reja të gripit të shpendëve/ Virusi vrasës në Zall Herr, Paskuqan, Nartë dhe Karavasta

schedule15:30 - 10 Janar, 2025

schedule 15:30 - 10 Janar, 2025

Katër vatra të reja  të gripit të shpendëve janë zbuluar në Shqipëri.  Aktualisht sëmundja është konstatuar  në Zall Herr, Paskuqan, Nartë dhe Lagunën e Karavastasë.  Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e cila  ka konfirmuar lajmin thotë se  dy prej vatrave pozitive janë në shpendë të egër duke lënë të kuptohet se  dy të tjerat  janë në shpendë të oborrit.

“Shpendët e egër janë mënyra më e shpeshtë që shërben për të qarkulluar  në shpendët e oborreve dhe  fatkeqësisht mund të ndodhë të hy dhe në shpendë të regjistrit industrial. Është e pamundur të ndalojmë shpërthimet”

Megjithketë profesori I sëmundjeve infektive  në  Universitetin Bujqësor të Tiranës  Xhelal Koleci thotë se disa masa të biosigurisë mund të kufizojnë përhapjen e infeksionit dhe këshillon fermerët.

 “Fermerët në zonat respektive duhet e këshillohen të mbajnë brenda shpendët, aq sa është e mundur, me qëllim minimizimin e çdo kontakti të mundshëm midis shpendëve të egër dhe atyre të oborreve duke mos vizituar ferma të tjera. Nëqoftëse kalohet nga një fermë në një tjetër duhet që të ketë mundësi të dezinfektohen këmbët sepse shpendët e egër gjatë fluturimit me anë të jashtëqitjeve  mund të ekskretojnë dhe shkaktarin. Nëse gjurmët tona bien në kontakt me to mundet që nëse vizitojmë një fermë shpendësh ta dërgojmë materialin“

Aktualisht nuk ka kalim të gripit  nga  shpendët tek njerëzit.  Analizat e kryera tek personat  që kanë pasur kontakt me  shpendët e sëmurë sipas Ministrisë së Bujqësisë kanë rezultuar  negative.

“Përsa i përket mundësisë së kalimit të virusit tek njeriu, mundësi është e vogël, por gjithësesi duhet të kemi kujdes kur kontaktojmë me këto shpendë të egër të cilët mund të ngordhin.  Të mos i prekim të lajmërojmë shërbimin veterinar. Natyrisht fillon si një grip i zakonshëm, por për shkak të kolapsimi të mushkërive ka përqindje të lartë të rasteve fatale. “

Shpendët e prekur nga gripi sipas specialistëve nuk arrijnë të hynë në zinxhirin ushqimor pasi sëmundja  agravon shpejt e çon në ngrodhjen e tyre.  Pavarësisht kësaj vezët  dhe  mishi i gatuar sipas tyre nuk paraqesin rrezik për konsumtorin.    Ministria e Bujqësisë thotë se e ka situatën në kontroll  dhe në  bashkitë e prekura ka ndalur  lëvizjen e shpendëve të gjallë jashtë fermave./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!