Nga 1 Shkurti, energjia elektrike do të kushtojë më lirë për abonentët familjarë. Enti rregullator i Energjisë miratoi kërkesën e OSHEE për uljen në 8.5 lekë të çmimit të energjisë për 700 kilovatët e parë të konsumuar, ndërsa energjia e konsumuar mbi këtë prag, do të faturohet me 9.5 lekë për kilovatorë.
Besjan Kadiu, drejtor i përgjithshëm i energjisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, u shpreh se ky vendim erdhi si rezultat i performancës së mirë në uljen e nivelit të humbjeve në shpërndarje. Ai tha se përfitojnë mbi 1 milionë abonentë.
“Performanca e sektorit elektro energjitik është themeli dhe shtylla në të cilën bazohet kjo ulje e çmimit. Performanca ka ardhur së pari në aspektin teknik me ndryshim të qenësishëm në nivelin e humbjeve në shpërndarje nga 46 përqind në 2012, në 17.93 përqind për vitin 2024, e cila më tej ka pasuruar me mirë adminsitrimin dhe procesit që pason këtë element teknik që është vjelja e faturave dhe detyrime nga OSHEE. Duket si një rezultat financiar për OSHEE dhe sektorin elektro energjitik shqiptar, i cili bën të mundur reflektimin në çmim.”
Sa abonentë përfitojnë?
“Me të dhënat që kemi mbledhur gjatë gjithë procesit të vlerësimit, në bashkëpunim me shoqëritë e sektorit elektro energjitik, rezulton se 1 milion e 70 mijë ose 95 përqind e abonentëve do të ndikohen nga kjo ulje çmimi. Konsumi midis muajve është i ndryshëm, dhe një abonent në një muaj mund të jetë në grupin nën 700 dhe një muaj tjetër në grupin mbi 700.”
Faturim me fasha?
“Nuk është faturim me fasha. Faturimi me fasha ka qenë i aplikuar më përpara ku deri në një fashë të caktuar kishte një çmim, dhe mbi atë fashë një çmim tjetër. Kësaj radhe nuk kemi fashë, por klasifikim të konsumatorëve sipas nivelit të konsumit. Do të kemi konsumatorë nën 700 kilovat orë dhe mbi, të cilëve i gjithë konsumi do t’u faturohet me çmimin aktual e deridjeshëm.”
Çfarë synohet me uljen e çmimit të energjisë?
“Synohet rritja e eficencës energjitike. Të dhënat tregojnë se ka rritje të qenësishme të konsumit. Dhe do ta ndihmojë mekanizmi i çmimit menaxhimin e konsumit nga secili prej konsumatorëve.”/abcnews.al