Presidenti i sapo zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump u bën thirrje partnerëve të NATO-s që të rrisin ndjeshëm shpenzimet e tyre për mbrojtjen. Në vend të dy për qind të produktit të tyre të brendshëm bruto (PBB), vendet partnere duhet të investojnë në të ardhmen pesë për qind, tha republikani në një konferencë shtypi në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida.
Gjatë fushatës zgjedhore republikani i kërcënoi vendet anetare të NATO-s që nuk paguajnë kontributin, se nuk do t’i mbështeste në rast të një sulmi nga Rusia.
Presidenti i ardhshëm amerikan kishte sinjalizuar që gjatë mandatit të tij të parë si president se SHBA do të tërhiqej nga NATO-ja, nëse vendet evropiane nuk rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen. Të gjitha vendet mund ta përballojnë këtë rritje nga dy në pesë për qind, tha Trump.
Disa javë më parë Trumpi tha se tarifat për kalimin tranzitit në Kanalin e Panamasë janë “shumë të padrejta”. Ai bëri thirrje që kontrolli i rrugës ujore t’u kthehet Shteteve të Bashkuara, nëse ato nuk trajtohen në mënyrë të drejtë. Trumpi tha se Kanali i Panamasë është jetik për vendin tonë. por kontrollohet nga Kina.
Kanali i Panamasë – një nga rrugët tregtare më të rëndësishme në botë – u ndërtua nga Shtetet e Bashkuara në fillim të shekullit XX, të cilat e kishin nën kontroll për një kohë të gjatë përpara se menaxhimi i tij t’i kalonte gradualisht Panamasë.