Në një intervistë me personazhin e famshëm të podkasteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Lex Fridman, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se garancitë e sigurisë për t’i dhënë fund luftës me Rusinë do të ishin efektive vetëm nëse këto garanci jepeshin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kreu i shtetit ukrainas deklaroi se ai shpreson që të takohet me Donald Trump pasi republikani të marr zyrtarisht mandatin e tij në 20 janar ndërsa lavdëroi presidentin e zgjedhur si të vetmin njeri që mund t’i japë fund këtij konflikti. Zelensky u shpreh përgjatë intervistës më shumë se tri orëshe se për Ukrainën dhe fundin e kësaj lufte nuk mund të kishte garanci sigurie në të cilat nuk ishin të përfshira Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përgjatë intervistës Volodymir Zelensky ripërsëriti thirrjet e tij për anëtarësim të Ukrainës në NATO duke thënë se fundi i luftës pa garanci sigurie do t’i jepte Rusisë mundësinë që të armatosej sërish për të nisur një luftë të re.
Pothuajse tre vjet pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, zgjedhja e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë ka ndezur shpresën për një zgjidhje diplomatike që do t’i jepte fund kësaj lufte, por gjithashtu është ndezur edhe frika se Kievi duhet të paguajë një çmim të lartë për arritjen e një paqeje të shpejtë.
Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky deklaroi përgjatë intervistës së tij se udhëheqja ukrainase duhet të ulet me Trump dhe liderët perëndimor për të caktuar një kurs veprimi, përpara se negociatat për fundin e luftës me Rusinë të fillojnë.
Përgjatë fushatës presidenciale, republikani Donald Trump bëri zotimin se ai do t’i jepte fund luftës Rusi-Ukrainë që në ditën e tij tëparë në Shtëpinë e Bardhë pa dhënë me shumë detaje mbi planin e tij.
Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se presidenti i zgjedhur amerikan do të negociojë me Moskën mbi integritetin territorial të Ukrainës, duke i lënë asaj territoret e pushtuara deri më tani, megjithatë diçka e tillë nuk është konfirmuar nga administrata e zgjedhur e republikanit./abcnews.al