Shkëndija e Tetovës pret Shkupin të dielën (13:00) dhe drejtuesit e kampionëve të Maqedonisë së Veriut kanë marrë një vendim. Të gjitha përfitimet e biletave të derbit shqiptar do të shkojnë për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.
Të ardhurat do t’i bashkohen kontributit të lojtarëve dhe drejtuesve për familjet e goditura nga ngjarja e tmerrshme. Kuqezinjtë solidarizohen në këtë mënyrë me tragjedinë e ndodhur, teksa nuk kanë munguar as mesazhet inkurajuese dhe ndihmat e “Ballistëve”, tifogrupit të njohur të ekipit. /abcnews.al
POSTIMI I PLOTË: “KF Shkëndija të dielën në kuadër të xhiros së 17-të përballet me Shkupin në Tetovë dhe kryesia vendos që të ardhurat nga shitja e biletave të bashkohen me donacionet e lojtarëve dhe kryesisë për familjet e goditura nga tërmeti në Shqipëri.
Në një javë më shumë emocionale të ndikuar nga fatkeqësia natyrore që goditi Shqipërinë, skuadra kuqezi vazhdon punën për sfidën e radhës kampionale. E diela sjell xhiron e 17-të kur Shkëndija në Tetovë do të presë FC Shkupin në një takim ku kuqezinjtë kërkojnë të kthehen në rrugën e fitores.
Përveç vlerës së pikëve në aspektin garues, takimi i të dielës është mundësi e mirë për bashkim të forcave bashkë me publikun në aksionin humanitarë për grumbullimin e mjeteve për familjet e goditura nga tërmeti në Shqipëri”. /abcnews.al