Pas motiti të keq, që përfshiu qarkun e Shkodrës, akset e Lotit 1, Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth rrugët janë pastruar nga reshjet e dëborës dhe janë kriposur për të lejuar qarkullimin normal të mjeteve.
Moti i keq gjatë tre ditëve të fundit shkaktoi problematika, kryesisht nga rënia e reshjeve të dëborës në zonat malore.
Më i prekuri ishte qarku i Shkodrës dhe rruga Qafë-Thore-Theth, por është ende i bllokuar segmenti nga mali i Shoshit në krahun tjetër. Zona e Thethit pati problematikë të bllokimit për shkak të rrëzimit të ortekëve, ndërsa tashmë është hapur.
Në Qafë-Thore, me rënien e temperaturave dhe krijimin e sigurisë për ndërhyrje, u aktivizuan të gjitha forcat dhe u hap pjesa e bllokuar nga orteqet.
Borëpastrueset punuan në terren për të mos lejuar bllokimin e këtij aksi.
Edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar konfirmoi se ka pasur problematika në këtë segment dhe se aksi Qafë-Thore dhe rruga e Thethit janë hapur.
Ndërkohë, edhe në segmentin rrugor të Iballës, pjesë e Bashkisë së Fushë Arrëzit, prej dy ditësh është bërë i vështirë qarkullimi i mjeteve. Erërat e forta dhe bora që janë prezente kanë shkaktuar bërë që në disa pika të rrugës trashësia e borës të arrinte në 2 metër./abcnews.al