Ndotja e mjedisit/ Ministrja Kumbaro: Është rritur masa dhe numri i gjobave

schedule20:48 - 25 Dhjetor, 2024

schedule 20:48 - 25 Dhjetor, 2024

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro thotë se është shtuar masa dhe numri i gjobave për ata të cilët ndotin mjedisin.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Kumbaro u shpreh se ka një ndërgjegjësim më të madh nga qytetarët, që vjen edhe për shkak të këtyre gjobave.

Ndër të tjera, Kumbaro shtoi se bashkitë kanë rritur buxhetet për menaxhimin e mbetjeve.

“Kjo është luftë e gjatë, është një proces i gjatë. E di sa herë e mendoj këtë gjë? Nuk mendoj se është faji i qeverisë kur bëhet fjalë për ndryshim të mentalitetit të sjelljes së një shoqërie. Qeveria merr masa administrative, qeveria investon, qeveria punon, të gjitha qeveritë, jo kjo. Qeveria qendrore apo vendore. Por në qoftë se shumë aktorë të shoqërisë, të cilët ndikojnë në nivelin e ndërgjegjësimit e shoqërisë, nuk veprojnë dhe presin që çdo gjë ta bëjë qeveria, do na duhen shekuj. Media ka një rol të jashtëzakonshëm. Ne e kemi shumë kollaj të kritikojmë, të shajmë në Facebook në mënyrë anonime dhe nëse ne shikojmë komshiun që e hedh qesen e lehrave poshtë pallatit, se përton ta çojë deri te koshi, asnjë nga ne nuk reagon. T’ju jap një shembull tjetër. Një nga problemat që kemi në akset rrugore dhe ARRSH ka krijuar një departament të dedikuar për pastrimin dhe gjelbërimit, për pastrimin anash rrugëve, në akset kombëtare. Shko një ditë mbrapa, është sikur nuk është pastruar. E bëjnë pis njerëzit që i hedhin nga makina.

Edhe në Shqipëri merr gjoba, ekziston gjoba, por nuk e njofton njeri policinë kur e shikon. Nëse të gjithë e rrisim këtë sensibilitet. Kjo është puna jonë e përditshme. Ne bëjmë skanim të të gjithë bregdetit gjatë muajit të verës, me të gjitha mjetet, me dron, me inspektorë, me foto satelitore për të identifikuar njollat ndotëse, i përdorim të gjitha mjetet, jemi në komunikim. Masa e gjobave është rritur, numri i gjobave është rritur. Ka një ndërgjegjësim të rritur, vjen nga këto masa. Flitet për këtë gjë. Bashkitë kanë rritur buxhetet për menaxhimin e mbetjeve. Kemi hartuar ligjin e ri të mbetjeve, hyn në fuqi vitin e ardhshëm”, theksoi ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!