“Forcojmë marrëdhëniet me SHBA”, Rama: Na takon të marrim vendin e Shqipërisë në Evropë, jo të na e dhuroni

schedule18:48 - 24 Dhjetor, 2024

schedule 18:48 - 24 Dhjetor, 2024

Kryeministri Edi Rama, në darkën tradicionale të fundvitit me trupën diplomatike, tha se shpreson që viti i ri të sjellë mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve me SHBA.

Më pas, ai u ndal te arritjet e vendit, duke thënë se 2024 ka qenë një vit shenjues për vendin. Kreu i qeverisë shtoi se është detyra e Shqipërisë që të ndezë yllin e verdhë në qiellin blu të BE-së.

“Na takon neve ta marrim vendin e Shqipërisë në Europë, jo juve të na e dhuroni. Është detyra jonë dhe vetëm e jona të ndezim yllin e verdhë të Shqipërisë në qiellin blu të Bashkimit Europian.”, u shpreh Rama.

Pjesë nga fjala e Ramës:

“Ne kremtojmë aleancën dhe miqësinë tonë të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Uroj që viti i ri, i cili vjen pas fushatës më të gjatë e më të nxehtë në historinë e tyre të jashtëzakonshme të betejave demokratike dhe me një President të ri në Shtëpinë e Bardhë, të sjellë mundësi te reja për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve tona.

Ky ka qenë një vit shënjues për Shqipërinë. Kur kthej kokën pas, më kujtohet takimi im i parë me paraardhësit e paraardhësve tuaj, një dekadë më parë. Asokohe, objektivi ynë kryesor ishte thjesht të siguronim statusin e vendit kandidat në BE dhe të fillonim të ndreqnim imazhin e copëtuar të Shqipërisë në botë. Sot, kontrasti është marramendës. Duket sikur kam jetuar në dy botë krejt të ndryshme. Ka qenë më e vështirë nga ç’mund të thuhet me fjalë, por ia ka vlejtur të luftosh për të gjitha ato që kemi bërë realitet përgjatë këtyre viteve.

Urojmë që viti i ri të bëjë të fluturojmë sërish, pa asnjë vonesë, për hapjen e të tjerë grupkapitujsh, për t’iu përmbajtur objektivit shumë ambicioz që kemi vendosur bashkë me Komisionin e BE-së për t’i mbyllur bisedimet në fund të vitit 2027.

E di shumë mirë që askush nuk do të na e bëjë të lehtë. Çdo centimetër që bëjmë përpara do të kërkojë përpjekje edhe më të mëdha, por dua që ta dini të gjithë se kjo është pikërisht ajo që duam, pa asnjë iluzion e asnjë pishman. Na takon neve ta marrim vendin e Shqipërisë në Europë, jo juve të na e dhuroni. Është detyra jonë dhe vetëm e jona të ndezim yllin e verdhë të Shqipërisë në qiellin blu të Bashkimit Europian.

Këtë mësim të marrë deri në lëkurë e çmojmë thellë, sidomos, falë disa kryeqyteteve të BE-së që kishin dyshime se kush ishim. Të gjithë e keni dëgjuar shprehjen:

“Ambasadori është një njeri i ndershëm të cilit i duhet të gënjejë për hir të vendit të tij”. Më kujtohet sëkëlldia i disa prej paraardhësve tuaj, të cilëve u duhej t’i justifikonin në mënyrë të vazhdueshme vetot e vonesat që na imponuan, pas rekomandimeve të Komisionit për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë. Për ta thënë butë, nuk qe e lehtë, por ishte një e përpjetë jashtë mase e vlefshme për të mësuar dhe, po aq, një burim zemërimi motivues për t’iu vërtetuar atyre kryeqyteteve se e kishin gabim.

Nuk jam i sigurt në do t’ia kishim dalë të mbërrinim në nivelin e detyrës finale, aq sa ia dolëm, nëse nuk do të kish qenë kështu. Ndaj, e kuptoni që falënderimet e mëhershme qenë të sinqerta – dhe e kam me të vërtetë – ashtu siç nuk do të kish mundur të ishin më të sinqerta miqësitë e veçanta që u ndërtuan, pikërisht, falë këtij rrugëtimi dëshpërues, si fjala vjen midis meje dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, një njeri me sinqeritet liberal, me ashpërsi holandeze dhe me kryeministërllëk të gjatë.

Ajo fazë ka përfunduar, por betejat tona për të hyrë në BE janë larg mbarimit. Megjithatë, Silvio dhe gjithë kolegët e tij nga këto kryeqytete të veçanta, përfshi Konstandinën e admirueshme, nuk kanë më pse justifikojnë asgjë që të na e bëjnë më të lehtë të dëgjojmë pjesët e vështira të këtij rrugëtimi. Ne i kuptojmë dhe i pranojmë ato si sfida për të bërë më shumë e më mirë.

Pra, thelbi është që, këtu në Shqipëri, ju jeni ambasadorët më me fat mbi tokë, siç do të thoshte qeraxhiu i ri i Shtëpisë së Bardhë, sepse nuk ju duhet të merrni mundimin të gënjeni për hir të kryeqyteteve tuaja.”, tha Rama.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!